Ballina Bota

SERBI – Dënime të rënda me burg për prindërit e të miturit që kreu masakrën në një shkollë

BEOGRAD, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një gjykatë në kryeqytetin serb, Beograd, dha sot dënime të rënda burgimi për prindërit e një të mituri që masakroi bashkënxënësit e tij në një shkollë të Beogradit në pranverën e vitit 2023.

”Babai i djalit, i cili në atë kohë ishte 13 vjeç, u dënua me 14,5 vite burg dhe nëna tre vite”, njoftoi transmetuesi shtetëror RTS.

Nxënësi qëlloi nëntë shokë të klasës dhe një roje sigurie me dy pistoleta të babait të tij në këtë incident, i cili shkaktoi tronditje të thellë në vendin ballkanik.

Një ditë më vonë, më 4 maj, një burrë vrau gjithashtu tetë persona në periferi të Beogradit.

Ngjarja nuk kishte asnjë lidhje me të shtënat në shkollë.

Dënimet e dhëna të hënën nuk janë ende të plotfuqishme, ndërsa prokurori publik ka shpallur ankesë menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit.

Autori i masakrës në shkollë nuk ishte në moshë kriminale sipas ligjit serb në kohën e krimit.

Ai aktualisht ndodhet në një institucion psikiatrik.

Gjykata në Beograd e dënoi babanë për rrezikim serioz të sigurisë publike dhe neglizhencë të një të mituri që kishte nevojë për mbrojtje, ndërsa nëna u akuzua vetëm për veprën e fundit./  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Berlini: Mbështetja e Musk për AfD është ndërhyrje në zgjedhje
Artikulli tjetërViti Kombëtar i Pyjeve, Kumbaro: U mbollën 300 mijë fidanë