Ballina Aktualitet

Rama: Mbyllim vitin me numrin më të ulët të vrasjeve

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Shqipëria po mbyll vitin me numrin më të ulët të vrasjeve.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama tha se vrasjet rrallohen vit pas viti dhe duke iu referuar grafikut të numrit të vrasjeve kujtoi se “e kemi nisur mesatarisht me 1 vrasje në 3 ditë, si trashëgimi kur morëm detyrën dhe kemi ardhur duke e ulur si shifër”.

“Mirëpo jeta mediatike dhe politike ka nevojë për të vrarë dhe të plagosur dhe ka nevojë për spektakël. Këtë vit ka pasur dy spektakle që për nga intensiteti dhe nga manipulimi i publikut kanë qenë për t’u lavdëruar. Në raport me të vërtetën, kanë qenë dy pasqyra se si mund të manipulohet e gënjehet publiku. Spektakli i pas vrasjes në Pogradec i cili u karakterizua nga gënjeshtra, sajesa e skandale pas skandalesh në aspektin e integritetit të shërbimit ndaj publikut”, tha Rama.

Për kryeministrin spektakli tjetër edhe më i shëmtuar në këtë aspekt ka qenë ai që u bë me vrasjen e 14-vjeçarit dhe me tragjedinë e asaj familjeje.

“Aty u krijuan edhe vrasës të tjerë, u sajuan edhe thika të tjera, u treguan versione kriminale në aspektin e detyrimeve ndaj publikut, në kushtet e atyre emocioneve shumë të natyrshme për humbjen e një jete aq të re. Është kriminale që të furnizohet publiku me helm a thua se nuk mjafton helmimi i shpirtit nga ndodhia. T’i thuash publikut se policia ka fshehur një vrasës tjetër, që vrasësi tjetër është djali i një hetuesi të Byrosë Kombëtare, që hetimi dhe për këtë arsye e kanë fshehur është krim moral”, shtoi Rama.

Ndërsa e konsideroi pasqyrimin e kësaj ngjarje një mashtrim kolektiv, Rama u shpreh se: “Mund t’i kuptoj politikanët që atë armë kanë zgjedhur, fabrikimin për të ngritur akuza, por këto dy momente kanë qenë dy momente tragjike, të dhimbshme për dy jetë të humbura por të neveritshme për dy të vdekur që u rivranë disa herë duke vrarë të vërtetën e tyre”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Qëndrueshmëri e burimeve njerëzore në Shëndetësi, u punësuan 344 mjekë të rinj dhe 1123 infermierë
Artikulli tjetërRama: Bashkëpunimi me SPAK e ka çuar punën e Policisë së Shtetit në nivel krejt tjetër