BERLIN, 30 dhjetor /ATSH-DPA/- Gjermania autorizoi disa projekte të ndihmës me vlerë 60 milionë euro në Siri – pas rënies së sundimtarit Bashar al-Assad, sipas një njoftimi të ministres së Zhvillimit, Svenja Schulze.
“Situata humanitare e banorëve në Siri është katastrofike,” tha sot Schulze për grupin mediatik RND.
“Gati 14 vjet luftë civile e ka lënë pjesën më të madhe të vendit në gërmadha – ku 90% e popullsisë jeton në varfëri dhe e varur nga ndihma ndërkombëtare”, shtoi ajo.
Ndërsa e ardhmja e Sirisë mbetet e pasigurt, Schulze shprehu optimizëm të kujdesshëm, duke vënë në dukje se ekziston potencial për ndryshime pozitive.
Ajo theksoi nevojën për të ofruar mbështetje për të ndihmuar në realizimin e këtij ndryshimi.
Schulze shpjegoi se projektet e planifikuara të ndihmës do të kryheshin vetëm përmes agjencive të OKB-së dhe organizatave joqeveritare.
Sipas Ministrisë së Zhvillimit në Gjermani, 25 milionë euro do të shkojnë për Fondin e OKB-së për Fëmijët (UNICEF), i cili do të fokusohet në rehabilitimin e shkollave dhe ofrimin e mbështetjes psikosociale për fëmijët e traumatizuar.
Për më tepër, 19 milionë euro do të ndahen për Programin e OKB-së për Zhvillim (UNDP), i cili ofron mundësi pune afatshkurtra për personat e zhvendosur brenda vendit, si pastrimi i rrënojave dhe mbeturinave.
Financimi vjen nga buxheti i Gjermanisë për vitin 2024, i cili ndan një total prej 132 milionë eurosh për projektet që lidhen me Sirinë. //a.i/























