TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se Erion Veliaj ka ikur në drejtim të panjohur.
Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se “pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, Veliaj është nisur sot në mëngjes jashtë vendit”.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 për qind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur”, u shpreh Berisha.
Berisha kërkoi në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë.
“Dënoj në mënyrën më të ashpër këtë akt superskandaloz. Rikujtoj qytetarët shqiptarë se Erion Veliaj ishte thirrur të paktën 3 herë për orë të tëra në SPAK dhe herën e fundit, ai u njoh me dokumente të cilat besonte se nuk ia dinte kush mbi tokë. Herën e fundit, ai u gjet para pohimeve të bashkëshortes dhe vëllait të tij, të cilat e inkriminonin atë në mënyrë fatale. Herën e fundit, Erion Veliaj u vendos para dokumentave, llogarive bankare, të cilat janë vetëm maja e ajsbergut e parave të vjedhura prej tij. Të gjithë të dhënat flasin se ai depozitat më të mëdha i ka në Dubai”, u shpreh Berisha.
/m.m//a.f/






















