Ballina Flash

Begaj në Katedralen Katolike të Shën Palit: Krishtlindja thirrje për të rindërtuar urat e mirëkuptimit

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, vizitoi sot në mëngjes Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë, për t’i përcjellë Arqipeshkvit Arjan Doda urimet e Tij më të mira për Krishtlindje të gëzuara për të gjithë besimtarët katolikë.

Kreu i Shtetit takoi një grup qytetarësh amerikanë që shërbejnë në vendin tonë, të Ngarkuarën me Punë në Shqipëri dhe punonjës të Ambasadës Amerikane, të cilët i falënderoi për punën e tyre dhe iu uroi Krishtlindje të gëzuara.

Imzot Arjan Dodaj falënderoi Presidentin për rolin e tij unifikues, për qëndrimet e tij të matura e të paqta, duke theksuar se shoqëria jonë ka nevojë për mesazhe shprese, paqeje e paqëtimi.

“Në një botë plot sfida, Krishtlindja është një thirrje për të rindërtuar urat e mirëkuptimit dhe për të përforcuar frymën e bashkimit midis nesh. Krishtlindja na kujton se asnjë vështirësi nuk mund ta shuajë dritën që lind brenda nesh kur veprojmë me dashuri dhe besim”, u shpreh Begaj.

Presidenti i Republikës përcolli urimet e tij edhe në selinë e Kishës Ungjillore të Tiranës për besimtarët ungjillorë. Ai u prit nga kreu i kësaj kishe, Pastor Ergest Bitri, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit theksoi se çdo njeri në këtë ditë të shenjtë duhet të jetë falënderues ndaj Zotit për bekimet që i ka dhënë e t’i transmetojë këto bekime nëpërmjet ndihmave dhe mbështetjes për më të varfrit, të dobëtit e të pamundurit.

Besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar në kalendarin e festave fetare, ditën e lindjes së Jezu Krishtit.

/k.s/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHasani urim për Krishtlindjen: Qoftë mirësia dhe dhembshuria udhëheqëse në jetët tona
Artikulli tjetërTEL AVIV – Izraeli: Hamasi nuk ka dhënë ende listën e pengjeve për t’u liruar