Ballina Aktualitet

Nga negociatat me BE tek takimi në Prishtinë, Rama ndan fotoalbumin e javës

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau të dielën në mbrëmje fotoalbumin e javës, me disa nga ngjarjet më të rëndësishme në vend, që u zhvilluan nga data 16 deri 22 dhjetor.

Kreu i qeverisë ndau në rrjetet sociale foto nga mbledhja e përbashkët e Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, që u zhvillua në Prishtinë, ku ndër të tjera deklaroi në fjalën e tij, se “Kosova duhet ta ngrijë dialogun bilateral të normalizimit, për të hedhur një hap gjigand përpara drejt anëtarësimit në BE dhe NATO”. Gjithashtu kryeministri Rama, ndau foto edhe nga takimi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Rama ndau foto edhe nga punimet e Samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, në Bruksel, ku u prit nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, António Costa.

Ndërsa në Bruksel u nënshkrua Dokumenti i Partneritetit me Bashkimin Europian, mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.

Gjithashtu kryeministri Rama zhvilloi një takim edhe në selinë e NATO-s në Bruksel, me ekipin ushtarak dhe civil të Misionit të Shqipërisë, si edhe me shqiptaret e shqiptarët që punojnë në zyrat qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit në Bruksel u takua me Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Po ashtu, kryeministri ndau foto edhe takimi vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës. Rama solli  në vëmendje mbështetjen që i është dhënë Diasporës në aspektin e pensioneve dhe njohjes së viteve të punës në vendet ku ata janë.

Një tjetër takim që Rama ndau në fotoalbumin e javës, ishte edhe takimi në Bruksel i delegacionit shqiptar për çeljen e grup-kapitullit 6. Grup-kapitulli përmban dy kapituj: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme dhe Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.

Gjithashtu një tjetër moment i rëndësishëm gjatë aktiviteteve të javës, ishte edhe takimi përmbyllës i këshillimit kombëtar me mësues e prindër, ku u prezantua Plani i Ri i Veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë dhe ngritjen në një nivel të ri të marrëdhënies shkollë-nxënës–prindër.

Rama ndau foto edhe nga takimi për shpërndarjen e titujve të pronësisë në Himarë, për shtëpitë e trashëguara në zonat Kadastrale me probleme kronike, duke përmbyllur kështu zotimin për këto objekte.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Teatrit të ri të Kukullave në kryeqytet, ku theksoi se “do të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet që të krijojmë sa më shumë hapësira, mundësi dhe të hapim sa më shumë dyer për aktivitete sa më të larmishme për fëmijët e kryeqytetit dhe fëmijët në të gjithë Shqipërinë”.

/a.f/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDPT: Të ardhurat nga kontributet shoqërore 970 milionë lekë më shumë se plani
Artikulli tjetërMbyllja e TikTok, Berisha: Akt censure pasi nuk e blen dot, e rihapim