Ballina Aktualitet

Spiropali: Mbështetje integrimit euro-atlantik të Kosovës, njohja përfundimtare e saj realitet i pakthyeshëm

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se, “shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur në rrugëtimin e tyre për shndërrimin e shoqërisë së vet, në një shoqëri moderne, evropiane në thelb dhe në sjellje, euroatlantike në orientim dhe të drejtë në çdo aspekt”.

Në fjalën e saj në seancën e përbashkët plenare mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës që po mbahet në Prishtinë, Spiropali u shpreh se, “unë jam me origjinë nga bregu i Labërisë së Shqipërisë, kam lindur në Tiranë, por me shtëpi zemre jam nga Prishtina dhe Prizreni. E po kështu secili nga ne është njëkohësisht nga Durrësi e Gjakova, nga Drenica e Shkodra, nga Korça e Peja, sepse jemi një gjak e një gjuhë, një histori e një kulturë”.

“Emocion i thellë dhe kënaqësi e pafund sot në këtë mbledhje të përbashkët mes dy Kuvendeve tona. Por ka një problem ne që po takohemi jemi pak, duhet të ishim më tepër, duhet të ishim me mijëra, me qindra mijëra, e prapë pak janë. Duhet të takohemi të gjithë aq sa jemi, aq sa shqiptarë ka bota, me miliona. Aq shqiptarë sa ka bota nuk prishin punë, përkundrazi, nuk prish punë se s’na nxë kjo sallë, ka salla të tjera që na nxënë, janë fushat, pllajat, luginat, ku mund të takohemi, të çmallemi dhe të mirëkuptohemi me njëri-tjetrin. Përmetari ta takojë dhe ta përqafojë prishtinaliun, gjakovari labin, pejanin, mitrovicaliu vlonjatin, e kështu me radhë, derisa toka të dridhet nën këmbët tona, deri sa Zoti të habitet, deri sa Adem Jashari të lëvizë në varr, deri sa bota ta mësojë cilët jemi e çfarë mundemi të bëjmë kur jemi bashkë”, tha Spiropali.

“Halli është se për të arritur deri tek supertakimi, për të realizuar hiperbashkimin duket herët, duhet të presim. Kur s’ke pulën duhet të hash shpend tjetër thotë populli, po doni ju që edhe ky shpend qenka fort i shijshëm në këtë takim”, u shpreh Spiropali.

“Jo rrallë Ballkani ka qenë truall i ankesës dhe popujt e Ballkanit e kanë traditë të hershme që t’i projektojnë dramat dhe pakënaqësitë diku gjetkë si për të gjetur ngushëllim për brengat që historia ka prodhuar pa fund në këtë pjesë të Evropës”, theksoi ajo.

“Ne shqiptarët nuk bëjmë dallim, por askush nuk mund ta mohojë se në këtë moment historik ku kemi mbërritur si kurrë ndonjëherë më parë, shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur në rrugëtimin e tyre për shndërrimin e shoqërisë së vetë, në një shoqëri moderne, evropiane në thelb dhe në sjellje, euroatlantike në orientim dhe të drejtë në çdo aspekt”, theksoi më tej kryetarja e Kuvendit.

“Një çerek shekulli, jo më tepër, vetëm një brez njerëzor, që në jetën enjë kombi zgjat sa një çast në histori ka mjaftuar të dëshmojë se çfarë energjie të pashtershme transformuese, progresi e force sjell liria. Në liri kemi bërë tashëm zgjedhjen e duhur që është dhe zgjedhja e vetme për dy pjesët e ndara të një kombi”, u shpreh Kryeparlamentarja.

Sot, theksoi Spiropali, “në këtë takim të përbashkët, ne po ngremë në një nivel tjetër detyrimin tonë ndaj qytetarëve tanë për të vijuar me durim e vizion atë që etërit tanë e kanë bërë me gjak e sakrificë të skajshme”.

Kryetarja e Kuvendit falënderoi homologun e saj Glauk Konjufca dhe kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti për pjesëmarrjen në këtë mbledhje.

Sot, vijoi Spiropali, “në vazhdim të udhëtimit tonë të mundimshëm për të plotësuar amanetin historik të vlonjatit Ismail dhe Frashërlliut prizraneli ne shkëmbejmë ide dhe pasione të përbashkëta, ëndrra dhe mallra, vizione dhe shpresa, si dhe bashkërendojmë plane e strategji të mirëkuptuara në rrugëtimin e pandalshëm drejt Evropës”.

“Realizimi i objektivit tonë strategjik, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, rritja e rolit dhe peshës së faktorit shqiptar në rajon si një mekanizëm i pazëvendësueshëm stabiliteti për paqen dhe sigurinë janë detyrat tona, janë themeli i të ardhmes sonë”, tha Spiropali.

“Ndodh që historia të rrjedhë më shpejt se sa të perceptohet dhe të shkruhet, orientimi i gabuar për shkak të zigzageve të historisë nuk është opsion për ne. Ndaj duhet të kuptojmë mirë historinë e re që po shkruhet në rajonin tonë dhe në botën që po ndryshon me shpejtësi. Pikërisht orientimit tonë të saktë në rrjedhat e reja besoj se i përgjigjet ky takim i sotëm, ky stacion i ndërmjetëm kodifikimi e qëndrimesh të reja në strategjinë e përbashkët, për afrimin dhe modernizimin e shoqërive tona”, tha Spiropali.

“Marrëveshja mes dy Kuvendeve e nënshkruar në Shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë dhe u ka dhënë mbështetje e shtytje bashkëpunimit mes dy qeverive, institucioneve dhe afrimit të njerëzve tanë në dy anët e Morinës. Bashkëpunimi mes dy republikave shqiptare është reciprokisht strategjik. Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës”, nënvizoi Spiropali.

Për Spiropalin hapja e kapitujve të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi i saj në këtë bashkësi është mëse e merituar.

“Shqipëria ka mbërritur në dyert e Bashkimit Evropian pas një rrugëtimi sfilitës shpesh të mbushur dhe me zhgënjime e prapakthime. Si vendi kandidat me shpejtësinë më të madhe integruese Shqipëria është ai vend i rajonit që e ka merituar më shumë se çdo vend tjetër anëtarësimin në familjen tonë të natyrshme evropiane. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektivi ynë strategjik kombëtar”, tha ajo.

“Samiti BE-Ballkani Perëndimor rikonfirmoi politikën për zgjerimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të brengosur që Kosova nuk e ka fituar ende këtë status që sipas një gjykimi të përgjithshëm e ka merituar më herët”, tha Kryeparlamentarja.

“Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne besojmë se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe pranimi i saj si anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës është vetëm çështje kohe dhe do të ndodhë shpejt”, tha mes të tjerash Kryeparlamentarja.

Spiropali nënvizoi se, dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

“Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të KiE do të vijojë të jetë promotori dhe mbështetësi i fortë i këtij procesi. Sfidat specifike që Kosova ka, janë të kuptueshëm dhe ato janë njëherazi edhe sfidat tona, që burojnë nga e drejta e natyrshme dhe Kushtetuta jonë. Në këtë kontekst dialogu Kosovë-Serbi, në koordinim të plotë me partnerët tanë të përbashkët strategjikë, SHBA-të dhe BE-në, duhet të ketë medoemos si rezultat përfundimtar nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve konform Kushtetutës së Kosovës”, tha Spiropali

Spiropali foli edhe për tensionet në veri të Kosovës.

“NATO është garancia e pazëvendësueshme e garancisë së Kosovës dhe gjithë botës ku ne përkasim. Ne ndjekim me shqetësim spiralen e destabilizimit që herë pas here nge krye si gjarpër i porsazgjuar në veriun e Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet shumë planesh të qeverisë të Kosovës, të shëtit të Kosovës, të gjitha forcave dhe autoriteteve ligjzabtuese për garantimin e ligjit në çdo hapësirë të Republikës së Kosovës në partneritet të ngushtë me partnerët tanë. Shqipëria i konsideron si akte dramatike dhe i dënon si dalldira të së shkuarës frymëzimet nacionaliste që kërkojnë ta mbajnë veriun e Kosovës peng të maktheve që vijnë nga errësira e shekujve. Shqipëria dhe Kosova si dy Republika shqiptare në rajon do të duhet të jenë të përqendruara në përpjekjet e tyre dhe duhet të jenë të koordinuar për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mali të Zi dhe Luginën e Preshevës e kudo”, tha Spiropali.

 

Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali:

Të dashur qytetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë,

I dashur Glauk,

Të nderuar kryeministra të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë, zoti Kurti e zoti Rama,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë,

Unë jam me origjinë nga Bregu i Labërisë së Shqipërisë. Kam lindur në Tiranë, por me shtëpi zemre jam nga Prishtina dhe Prizreni. E po kështu secili nga ne, është njëkohësisht nga Durrësi e Gjakova, nga Drenica e Shkodra, nga Korça e Peja. Sepse jemi një gjak e një gjuhë, një histori e një kulturë.

Emocion i thellë dhe kënaqësi e pafund sot në këtë mbledhje të përbashkët mes dy Kuvendeve tona.

Por, ka një problem. Ne që po takohemi jemi pak. Duhej të ishim më tepër. Duhej të ishim me mijëra. Me qindra mijëra. Dhe prap’ janë pak. Duhet të takohemi të gjithë. Aq sa jemi. Aq shqiptarë sa ka bota, me miliona. Nuk prish punë se s’na nxë kjo sallë. Ka salla të tjera që na nxënë. Janë fushat, pllajat, luginat ku mundemi me u taku, e me u çmall, e me u mirëkuptu me njëritjetrin. Përmetari ta takojë e përqafojë prishtinaliun. Gjakovari labin. Kuksiani pejanin. Mitrovicaliu vlonjatin. E kështu me radhë. Derisa toka të dridhet nën këmbët tona. Derisa Zoti të habitet. Derisa Adem Jashari të lëvizë në varr. Derisa bota ta mësojë cilët jemi e çfarë mundemi të bëjmë kur jemi bashkë.
Halli është se me arrit deri te supertakimi me realizu hyperbashkimin, duket herët, duhet me prit. Kur s’ke pulën duhet me ngrënë shpend tjetër thotë populli, po doni ju që edhe ky qenka fort i shijshëm.

Jo rrallë Ballkani ka qënë truall i ankesës dhe ankthit. Popujt e Ballkanit e kanë traditë të hershme që t’i projektojnë dramat dhe pakënaqësitë diku gjetkë si për të gjetur ngushëllim për brengat që historia ka prodhuar pafund në këtë pjesë të Evropës. Ne shqiptarët nuk bëjmë dallim. Por askush nuk mund ta mohojë se në këtë moment historik ku kemi mbërritur, si kurrë ndonjëherë më parë, shqiptarët kanë dëshmuar vendomëri të palëkundur në rrugëtimin e tyre për shndërrimin e shoqërisë së vet në një shoqëri moderne, evropiane në thelb e sjellje, euroatlantike në orientim, dhe të drejtë në çdo aspekt.

Një çerek shekulli, jo më tepër, vetëm një brez njerëzor që në jetën e një kombi zgjat sa një çast në histori, ka mjaftuar të dëshmojë se çfarë energjie të pashtershme transformuese, progresi e force sjell Liria. Në Liri kemi bërë tashmë zgjedhjen e duhur. Që është dhe zgjidhja e vetme për dy pjesët e ndara të një kombi. Sot, në këtë takim të përbashkët, ne po ngremë në një nivel tjetër detyrimin tonë ndaj qytetarëve tanë, për të vijuar me durim e vizion atë që etërit tanë e kanë bërë me gjak e sakrificë të skajshme.

Faleminderit dhe njëherë që jemi të gjithë bashkë, faleminderit vëlla Glauk, faleminderit dy kryeministrave shqiptarë që janë të pranishëm dhe faleminderit çdo zemre shqiptare që pret e uron vijimin e traditës sonë për të diskutuar së bashku mbi projeksionet e së ardhmes, për të parë ku jemi e çfarë kemi bërë mirë, dhe për të diskutuar se çfarë duhet të bëjmë më mirë nesër në axhendën tonë të përbashkët me frymëzim evropian.

Sot, në vazhdim të udhëtimit tonë të mundimshëm për të plotësuar amanetin historik të vlonjatit Ismail dhe frashërlliut prizrenali, ne shkëmbejmë ide e pasione të përbashkëta, ëndrra dhe mallra, vizione dhe shpresa, si dhe bashkërendojmë plane e strategji të mirëkuptuara në rrugëtimin e pandalshëm drejt Evropës.

Realizimi i objektivit tonë strategjik, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, integrimi euro-atlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, rritja e rolit dhe peshës së faktorit shqiptar në rajon si një mekanizëm i pazëvendësueshëm stabiliteti, për paqen dhe sigurinë, janë detyrat tona të shenjta, janë themeli i të ardhmes tonë.

Ndodh që historia të rrjedhë më shpejt sesa të perceptohet dhe shkruhet. Orientimi i gabuar për shkak të zig-zageve të Historisë nuk është opsion për ne. Ndaj duhet të kuptojmë mirë historinë e re që po shkruhet në rajonin tonë dhe në botën që po ndryshon me shpejtësi.

Pikërisht orientimit tonë të qartë dhe të saktë në rrjedhat e reja, shpresoj se i përgjigjet ky takim i sotëm, ky stacion i ndërmjetëm kodifikimi qëndrimesh, që dikton energji të reja në strategjinë e përbashkët për afrimin dhe modernizimin e shoqërive tona.

Marrëveshja mes dy Kuvendeve, e nënshkruar në shtator 2022, ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë dhe u ka dhënë mbështetje e shtytje bashkëpunimit mes qeverive e institucioneve dhe afrimit të njerëzve tanë në të dy anët e Morinës.

Bashkëpunimi mes dy republikave shqiptare është reciprokisht strategjik.

Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë.

Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës.

Suksesi i njërës republikë është kusht i parë dhe i domosdoshëm edhe për suksesin e republikës tjetër shqiptare. Ritmi i njërës, kushtëzon dhe ritmin e tjetrës.

Shqipëria ka mbërritur në dyert e Bashkimit Europian mbas një udhëtimi sfilitës, shpesh të mbushur edhe me zhgënjime e prapakthime.
Si vendi kandidat me shpejtësinë më të madhe integruese, Shqipëria është ai vend i rajonit që ka merituar më tepër se çdo vend tjetër anëtarësimin në familjen tonë të natyrshme evropiane. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade është objektivi ynë strategjik kombëtar, një qëllim ambicioz, i mundshëm, i realizueshëm, dhe plotësisht i merituar në bazë të arritjeve tona si një meritë e njohur dhe jo një privilegj i dhuruar.

Në harkun e dy muajve Shqipëria hapi negociatat për grup-kapitullin e parë-Themeloret dhe negociatat për grup- kapitullin e gjashtë-Marrëdhëniet e jashtme dhe Politika e sigurisë dhe e mbrojtjes.

Shqipëria e ka njehsuar prej vitesh politikën e saj të jashtme të sigurisë me Bashkimin Evropian. Të njëjtën gjë, që Republika e Kosovës e ka të shkruar në kushtetutë.

Ne besojmë se vetëm partneriteti i plotë e reciprok, përtej debateve a kundërshtive për ngjarje të ditës, është i vetmi mjet i arsyeshëm i Tiranës dhe i Prishtinës për të përballur sfidat e tyre në një mjedis gjeopolitik që shfaqet herë-herë edhe si armiqësor. Mjedisi ballkanik është një mjedis dinamik. Është detyra jonë të parashohim dhe ndjekim me vëmendje ndryshimet e këtij mjedisi, dhe të japim përgjigjet tona më të mira të mundshme.

Motra dhe vëllezër,

Samiti Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor rikonfirmoi mbështetjen për politikën e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të brengosur që Kosova nuk e ka fituar ende këtë status, që sipas një gjykimi të përgjithshëm, e ka merituar më herët. Ne nxisim pesë vendet e vetme të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende, të pranojnë se çfarë mund të bëhet tani nuk është mirë të lihet për më vonë, dhe se herët a vonë është e qartë se Kosova do të jetë edhe një flamur më shumë në selinë e OKB-së, edhe një yll më shumë në flamurin evropian.

Shqipëria ka mbështur dhe do të vijojë të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Ne besojmë se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe pranimi i saj si anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës është vetëm çështje kohe dhe do të ndodhë shpejt.

Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të jetë vijojë të jetë promotori i këtij procesi. Sfidat specifike që ka Kosova janë të kuptueshme dhe ato janë njëherazi edhe sfidat tona që burojnë nga e drejta e natyrshme dhe ajo kushtetuese jona. Në këtë kontekst, dialogu Kosovë-Serbi, në koordinim të plotë me partnerët tanë të përbashkët strategjikë, SHBA e BE, duhet të kenë medoemos, si rezultat përfundimtar, nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjelltë mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës.

Pa njohje të ndërsjelltë dhe përfundimtare, pa dalje me guxim nga labirintet artificiale që krijohen nga interesa të ditës, e ndoshta edhe të votës lokale, ky skaj i Evropës do të jetë gjithmonë një dhembje koke për banorët e tij.

Ne kemi bindjen e palëkundur se Kosova do ta përmbyllë këtë proces si një shtet me vizion euro-atlantik, si një partner strategjik, serioz, i vlerësuar dhe i dinjitetshëm përballë aleatëve tanë.
Me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë euro-atlantikë, çdo objektiv i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve kudo ku janë, lehtësohet.

Eshtë koha e shqiptarëve të punojë për shqiptarët, sa edhe e shqiptarëve të punojnë për kohën e tyre.

Si anëtarë aktivë të NATO-s, ne nxisim forcimin e mëtejshme të marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën.
Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Aleancës do jetë i fokusuar në këtë mision.

NATO është garancia e pazëvendësueshme e sigurisë së Kosovës dhe gjithë botës ku ne përkasim. Ne ndjekim me shqetësim spiralen e destabilizimit që herë pas here ngre krye si gjarpër i porsazgjuar në Veriun e Kosovës.
Në mbështesim përpjekjet shumëplanëshe të qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve ligjzbatuese për garantimin e ligjit në çdo hapësirë të Republikës së Kosovës, në partneritet të ngushtë me partnerët tanë, SHBA e BE.
Shqipëria konsideron si akte dramatike dhe i dënon si dalldira të së shkuarës frymëzimet nacionaliste që kërkojnë ta mbajnë Veriun e Kosovës peng të maktheve që vijnë nga errësira e shekujve.

Shqipëria dhe Kosova, si dy republika shqiptare në rajon, do duhet të jenë të përqëndruara në përpjekjen e tyre dhe të koordinuar për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Mal të Zi, e në Luginën e Preshevës e kudo.
Ne ndjekim me vëmendje të thellë shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për çështjen e gjuhës shqipe.
Ne besojmë fort se askund tjetër më mirë se në Shkup nuk kuptohet më qartë ndjeshmëria e skajshme për gjithçka lidhet me gjuhën, dhe besojmë se gjithçka do të zgjidhet në frymën e ligjit, të Marrëveshes kornizë të Ohrit, dhe respektit reciprok mes dy etnive më të mëdha shtetformuese të vendit fqinj e mik.

Ne mendojmë se të drejtat e fituara të shqiptarëve në vendet e rajonit janë të pakthyeshme dhe kusht i pazëvendësueshëm për ndërtimin e shoqërive demokratike në ato vende. Askush si shqiptarët nuk ka krenarinë legjitime për të besuar dhe projektuar edhe për nesër, bindjen e shndrrimit të faktorit shqiptar në mekanizmin më të rëndësishëm të garantimit të paqes, sigurisë dhe zhvillimit në të gjithë rajonin.
Pavarësisht problematikave tona lokale, ne jemi kontributorë të pazëvendësueshëm të asaj që duhet bërë për evropianizimin e pakthyeshëm të Ballkanit.

Motra e vëllezër,

Republika e Kosovës është rezultati i veprës së grave dhe burrave shqipatarë të Kosovës, dhe rreshtimit të tyre në aleancën më të madhe politiko-ushtarake të kohës, nën flamurin universal të së drejtës së kombeve për të jetuar në liri, paqe e dinjitet.
Republika e Kosovës është realiteti më i ri gjeopolitik në Europë e lindur nga sakrifica të panumërta për t’u bërë shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj.

Të punojmë se bashku për tu bërë sa më shpejt qytetarë europianë në një Ballkan të pandarë të Bashkimit Evropian, duke mos harruar për asnjë çast se takimet me dhjetra dhe qindra nëpër zyra dhe salla nuk janë keq, por më të mira janë takimet me miliona nëpër fushat, pllajat, luginat e Kosovës dhe Shqipërisë ku të takohemi e të çmallemi e të bashkëpunojmë nën qiellin e Lirisë.

Ju faleminderit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLigji për Forcën Rezerviste, Vengu: Rritje e efikasitetit të Forcave të Armatosura dhe Mbrojtjes Civile
Artikulli tjetërSeanca e përbashkët, Konjufca: Dëshmojmë unitetin tonë përballë sfidave politike dhe gjeopolitike të sigurisë