Ballina Flash

Berisha: Arrestimi i liderit të opozitës, fushatë terrori ndaj popullit opozitar

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot në selinë blu një takim me simpatizantët e PD, të cilët i cilësoi si “qëndrestarët e “Rrugës së Shpresës”.

Berisha i dërgoi një përshëndetje Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta që sipas tij, “përballet me diktaturën e bandave dhe krimit në qelitë e burgut”, dhe deputetit Ervin Salianji, të cilin e cilësoi si “të pamposhtur që qëndron si kollos kundër narkodiktaturës, sepse mbrojti të vërtetat dhe bëri detyrën si deputet”.

Berisha u shpreh gjithashtu se arrestimi i tij u faktua si i paligjshëm.

“Padyshim që në serinë e sulmeve ndaj opozitës me ‘non gratat’, vjedhje flamuri, mohimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve opozitarë në parlament, arrestimi i kreut të opozitës shënoi goditjen më të rëndë që na u bë, sepse me këtë akt, kreu i narkoshtetit dhe mercenarët e tij, tentuan të shtinin terror, jo vetëm në votrat, por edhe në zemrat e demokratëve shqiptarë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se shqiptarët nuk mund t’i trembë asgjë.

“Kush do ti trembë shqiptarët, Irena me 5 mbiemra, apo Dumani mercenar. Jo mor kurrë. Shqiptarin e vërtetë nuk e tremb asgjë. Ja pse ju u mblodhët atë ditë ndonëse ishte një ditë pushimi, pas ndërrimit të viteve. Ja pse ju u mblodhët spontanisht atë ditë ndonëse bënë përpjekjet më ekstreme për tu frikësuar, për tu zbrapsur, për t’ju shtyrë që të dorëzoheshit”, tha Berisha, duke kujtuar protestën e parë poshtë dritares së shtëpisë së tij më 2 janar të këtij viti.

Sipas tij, “rrugica që Edi Rama kërkoi ta kthente në qelinë politike të opozitës, ju të rinjtë, te reja, burra dhe gra, e shndërruat në rrezen e shpresës për shqiptarët, kur ishin ditët më të zeza për demokratët.

Prandaj dhe vetëm pak ditë më vonë, atë rrugë ju e inauguruar si Rrugën e Shpresës. Dhe sot 333 ditë më vonë në këtë numër të bekuar, qëndresa e rrugës së shpresës ka siguruar vendin e saj në histori të qëndresave të mëdha shqiptare”.

/a.f/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Costa: Plani i Rritjes mund të transformojë ndjeshëm Ballkanin Perëndimor
Artikulli tjetërNorma bazë e interesit mbetet 2.75%, Sejko: Paga mesatare në sektorin privat rritje me 5.4%