BRUKSEL, 18 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në prag të Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, i cili po zhvillohet sot në Bruksel, tha se vendet e këtij rajoni mund të transformohen ndjeshëm nëpërmjet Planit të Rritjes.
Duke përshëndetur liderët e vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, Costa tha se Samiti është i rëndësishëm për tri arsye kryesore, njëra prej të cilave është se të gjithë i përkasin familjes evropiane, ndajnë kontinentin, por edhe vlerat dhe historinë e përbashkët.
Ai theksoi se janë angazhuar për zgjerim dhe se të gjithë besojnë se ky zgjerim është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik për paqen, sigurinë dhe përparimin.
Ai shtoi se po udhëheqin gradualisht integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e tyre, si udhëtimi pa viza, çështja e roaming-ut dhe mënyrat më të thjeshta dhe më të lira të pagesës, ndërsa Ballkani Perëndimor mund të transformohet ndjeshëm nga Plani i Rritjes./ /os/






















