Ballina Flash

Bushi me talentet e “Elite Youth Academy”, ndan momente nga karriera dhe jep këshilla për të rinjtë

TIRANE, 15 dhjetor/ATSH/ 37 talentet që janë pjesë e programit “Elite Youth Development Academy” morën pjesë këtë javë në një takim të veçantë me trajnerin e Kombëtares U21, Alban Bushi. Ai zhvilloi një bisedë të hapur me djemtë, fillimisht duke folur mbi jetën e tij dhe më pas duke u përfshirë në diskutime me ta.

Trajneri Bushi rrëfeu për fillimet e karrierës së tij si futbollist, në klub dhe Kombëtare, sfidat dhe sakrificat e bëra drejt ëndrrës për t’u bërë lojtar profesionist dhe rëndësinë e fanellës së Kombëtares dhe përfaqësimi i të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Fëmijët u përfshinë vazhdimisht në bisedë, duke i drejtuar pyetje rreth momenteve kyçe të karrierës së tij, si: goli më i veçantë që ka shënuar, lojtari i preferuar, lojtarët më të vështirë më të cilët është përballur, emocionet e ndeshjeve me Kombëtaren etj.

Në fund, trajneri i Kombëtares U21 dha disa rekomandime për lojtarët e rinj, nisur nga eksperienca e tij personale, si futbollist e tashmë si trajner. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që një futbollist i ri të ketë një qëllim të qartë dhe të punojë me zemër rreth atij qëllimi, duke qenë i disiplinuar dhe duke punuar në grup, për të arritur qëllimet individuale dhe të skuadrës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj pret skiatoren Lara Colturi: Krenar për kampionen tonë, rrisim mbështetjen për sportistët
Artikulli tjetërHasani mikpret Trupin Diplomatik në Korçë: Përgatitemi për vitin 2025