Ballina Bota

FRANCË – Macron emëron François Bayrou në postin e kryeministrit

PARIS, 13 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka emëruar politikanin centrist François Bayrou si kryeministër, tha pallati Élysée, pak më shumë se një javë pas rënies së qeverisë së mëparshme.

Të mërkurën e kaluar, opozita rrëzoi ish-kryeministrin konservator Michel Barnier, në një mosmarrëveshje mbi një buxhet shtrëngues, pasi ai kishte vetëm tre muaj në detyrë.

Franca është bllokuar politikisht pasi zgjedhjet e mbajtura në qershor dhe korrik nuk arritën të prodhonin një rezultat të qartë.

Në të njëjtën kohë, vendi po përballet me një situatë kritike ekonomike mes borxhit kombëtar në rritje dhe një deficiti të madh buxhetor.

Partitë e opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e Macron në mes të krizës politike dhe ekonomike, me një buxhet të vitit 2025 që ende nuk është miratuar vetëm disa javë para vitit të ri.

Macron ka refuzuar të japë dorëheqjen.

Ndërkohë, Mathilde Panot, drejtuese në ”La France Insoumise” të Jean-Luc Melenchon,  deklaroi se partia e saj do të paraqesë menjëherë një mocion mosbesimi kundër qeverisë së Bayrou.

Ndërsa Marine Le Pen, presidente e RN, deklaroi se ”me këtë kryeministër kemi të bëjmë me një zgjatim të makronizmit, që mund të çojë vetëm në ngërç”./ / a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVanHorn: SHBA mbështet KQZ-në në procesin për zgjedhje të drejta e transparente
Artikulli tjetër“Transparent Albania”, Rama: Instrument për të luftuar fluksin e dezinformimit