Ballina Flash

5 vjet nga krijimi, AKMC strukturë e mirëorganizuar për të përballuar emergjencat civile

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ndau sot me rastin e 5- vjetorit të krijimit një videomesazh ku rendit arritjet e këtij institucioni.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u themelua në vitin 2019, me Vendimin e Këshillit të Ministrave, si një strukturë e re me një vizion të qartë: të sigurojë koordinim, reagim dhe planifikim të qëndrueshëm për mbrojtjen civile.

“Pesë vite më parë, sistemi i mbrojtjes civile përballej me sfida të mëdha, duke treguar nevojën për një koncept të ri dhe një strukturë të mirëorganizuar”, thuhet në videomesazhin e AKMC.

Vetëm disa ditë pas krijimit, AKMC u përball me një nga sfidat më të mëdha të saj tërmetin e 2019-ës.

Përgjigja e AKMC tregoi rëndësinë për të patur një strukturë të fortë dhe të mirëkoordinuar.

Pandemia COVID-19 testoi sistemin e mbrojtjes civile për të vepruar ndaj një sfide globale. Me udhëzimin e qartë të Kryeministrit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, AKMC udhëhoqi hartimin e tre dokumenteve kyçe për mbrojtjen civile – një bazë solide për zvogëlimin e riskut në vendin tonë, thekson AKMC.

Nga zjarret masive në pyje, përmbytjet e deri te operacionet e shpëtimit, AKMC ka treguar qëndrueshmëri dhe efikasitet në çdo sfidë.

Pjesë e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, AKMC, jo vetëm që ka marrë mbështetje, por tashmë është bërë kontribuues i rëndësishëm në ndihmën ndaj vendeve të tjera.

Falë partnerëve ndërkombëtarë, kapacitetet njerëzore dhe logjistike të AKMC janë fuqizuar ndjeshëm.

Sot, AKMC është një agjenci moderne dhe e përgatitur për të koordinuar emergjencat në nivel kombëtar, duke siguruar standarde të barabarta me ato evropiane. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRruga drejt Botërorit 2026, bilanci i Shqipërisë me kundërshtarët e grupit K
Artikulli tjetërKOMENT – Emërimi i Bayrou si kryeministër shkakton reagime të ndryshme në Francë