TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ndau sot me rastin e 5- vjetorit të krijimit një videomesazh ku rendit arritjet e këtij institucioni.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u themelua në vitin 2019, me Vendimin e Këshillit të Ministrave, si një strukturë e re me një vizion të qartë: të sigurojë koordinim, reagim dhe planifikim të qëndrueshëm për mbrojtjen civile.
“Pesë vite më parë, sistemi i mbrojtjes civile përballej me sfida të mëdha, duke treguar nevojën për një koncept të ri dhe një strukturë të mirëorganizuar”, thuhet në videomesazhin e AKMC.
Vetëm disa ditë pas krijimit, AKMC u përball me një nga sfidat më të mëdha të saj tërmetin e 2019-ës.
Përgjigja e AKMC tregoi rëndësinë për të patur një strukturë të fortë dhe të mirëkoordinuar.
Pandemia COVID-19 testoi sistemin e mbrojtjes civile për të vepruar ndaj një sfide globale. Me udhëzimin e qartë të Kryeministrit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, AKMC udhëhoqi hartimin e tre dokumenteve kyçe për mbrojtjen civile – një bazë solide për zvogëlimin e riskut në vendin tonë, thekson AKMC.
Nga zjarret masive në pyje, përmbytjet e deri te operacionet e shpëtimit, AKMC ka treguar qëndrueshmëri dhe efikasitet në çdo sfidë.
Pjesë e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, AKMC, jo vetëm që ka marrë mbështetje, por tashmë është bërë kontribuues i rëndësishëm në ndihmën ndaj vendeve të tjera.
Falë partnerëve ndërkombëtarë, kapacitetet njerëzore dhe logjistike të AKMC janë fuqizuar ndjeshëm.
Sot, AKMC është një agjenci moderne dhe e përgatitur për të koordinuar emergjencat në nivel kombëtar, duke siguruar standarde të barabarta me ato evropiane. /j.p/
