BRUKSEL, 12 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser bëri thirrje sot për një qasje të përbashkët evropiane për kthimin e mundshëm të refugjatëve sirianë.
“Unë besoj se do të ishte shumë e përshtatshme për ta organizuar këtë së bashku”, tha Faeser, ndërsa mbërriti në një takim të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Disa vende të BE-së, duke përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Italinë, pezulluan procedurat e azilit për sirianët – pasi ish-lideri sirian Bashar al-Assad u largua nga vendi të dielën.
“Vendet e BE-së duhet të shkëmbejnë informacion mbi zhvillimet në Siri”, tha Faeser duke shtuar se duhej pak më shumë kohë për të kuptuar se ku po shkonte Siria.
Ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner foli gjithashtu në favor të një qasjeje të përbashkët në BE, por paralajmëroi se do të kishte vonesa të procedurave.
“Tani, duhet të përgatisim gjërat që janë të nevojshme”, tha Karner.
“Nga njëra anë, ne duhet të pezullojmë procedurat dhe më pas të përgatitemi për riatdhesimet dhe dëbimet tani. Ju nuk mund të prisni, duhet të punoni për ta bërë të qartë këtë”, tha ai. //a.i/






















