Ballina Flash

BE: Më 17 dhjetor zhvillohet takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

PRISHTINË, 10 dhjetor/ATSH/ Bashkimi Evropian ka konfirmuar se më 17 dhjetor do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper ka thënë se të dy palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim dhe se aty do të “shqyrtojnë një sërë çështjesh, përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe Petar Petkoviq nga Qeveria e Serbisë u takuan herën e fundit në tetor.

As aty nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar nga palët në vitin 2023.

Institucionet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit të fundit terrorist në veri, ku u cenua infrastruktura kritike e Kosovës, derisa Serbia ka mohuar akuzat.

Shpërthimi në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ndodhi më 29 nëntor dhe e dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.

Sulmi është dënuar prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. /KosovaPress/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKëshillit të BE-së i kërkohet ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim
Artikulli tjetërATHINË – Greqia pezullon kërkesat për azil për sirianët