Ballina Aktualitet

Balla takim me ministrin Marash Dukaj: Shqiptarët e Malit të Zi, faktor i rëndësishëm i ankorimit në BE

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla priti sot në një takim ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj.

Të dy ministrat diskutuan tema të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, me një vëmendje të veçantë ndaj axhendës së digjitalizimit, zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi.

Ministri Dukaj ndodhet në Tiranë si pjesëmarrës i konferencës rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech” për ndërthurjen e teknologjisë dhe qeverisjes në shërbim të qytetarëve.

Gjatë takimit dypalësh të dy ministrat ndanë qëndrimin për t’i dhënë përparësi axhendës së digjitalizimit për modernizimin e shërbimeve publike, si një hap kyç drejt qeverisjes më efikase dhe transparente.

Si një pikë e rëndësishme e takimit u diskutua përfshirja e mëtejshme e shqiptarëve në proceset vendimarrëse dhe jetën politike e kulturore në Malin e Zi, duke vënë gjithashtu theksin në rëndësinë e mbrojtjes dhe zgjerimit të të drejtave të tyre.

Balla vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në sistemin qeverisës të Malit të Zi, si dhe nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit ndërkufitar.

“Marash Dukaj para disa vitesh ishte student në Tiranë dhe sot është Ministër për Administratën Publike në Malin e Zi. Ai është një mik i çmuar dhe nuk e fsheh krenarinë atdhetare për ndryshimet e mëdha të Tiranës dhe Shqipërisë gjatë dekadës së fundit. Shqiptarët e Malit të Zi janë një faktor i rëndësishëm i ankorimit të Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian” tha ministri Balla.

Gjithashtu, u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, me qëllim rritjen e bashkëpunimit në fusha si administrata publike dhe promovimi i zhvillimit rajonal nëpërmjet projekteve të përbashkëta.

Sipas ministrit ky takim dëshmon përkushtimin e përbashkët për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e rajonit tonë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Shikimi nga e ardhmja, mënyra për të realizuar atë që Arbën Xhaferi e quante integrim në sistemin e vlerave europiane
Artikulli tjetërDenaj: 4,4 miliardë lekë subvencionim fermerëve në vitin 2025