MOSKË, 4 dhjetor /ATSH-AFP/ – Moska njoftoi sot se kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, nën sanksionet evropiane, do të udhëtojë në Maltë nesër dhe pasnesër për një takim ministror të OSBE-së, udhëtimi i tij i parë në BE që nga fillimi i sulmit të forcave ruse kundër Ukrainës, në shkurt 2022.
Ukraina nuk ka reaguar ende.
“Më 5 dhe 6 dhjetor, ministri i Jashtëm rus dhe një delegacion rus do të marrin pjesë në takimin e radhës të Këshillit Ministror të OSBE-së në Maltë”, deklaroi zëdhënësja e diplomacisë ruse, Maria Zakharova.
Kjo vizitë vjen mes spekulimeve për nisjen e një procesi të mundshëm paqeje me Ukrainën, e mbështetur ushtarakisht nga vendet e BE-së, dhe një muaj e gjysmë para kthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, gjë që e bën Kievin të frikësohet nga ndërprerja e ndihmave amerikane.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte lideri i parë perëndimor që rifilloi kontaktet me Vladimir Putinin, në mes të nëntorit gjatë një telefonate, e para mes dy liderëve që nga fundi i vitit 2022.
Vizita e fundit e zotit Lavrov në Bashkimin Evropian daton në dhjetor 2021 në Suedi, sipas ministrisë së tij, me rastin e një takimi tjetër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili ishte konceptuar gjatë Luftës së Ftohtë si një platformë për dialogun Lindje-Perëndim./ /os/























