TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin parlamentar. Në fjalën e tij kryetari i Partisë Demokratike, Sali Bersha tha dosjet e krimit elektoral që ka mbyllur Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do t’i çojnë në gjykatat e vendit dhe më pas edhe në Strasburg.
“Ne jemi parti që, qëllimi ynë më kryesor është rivendosja e shtetit ligjor në Shqipëri. Por tani të gjitha dosjet që SKAP i ka mbyllur, të gjitha dosjet i kanë tejkaluar afatet ligjore, do t’i drejtojmë në gjykata, duke paditur autorët e krimit elektoral dhe SPAK si bashkëpunëtor të tyre që mbyll dosjet”, u shpreh Berisha.
“Nëpërmjet gjykatave ne ndjekim spiralin gjer në Strasburg. Strasburgu dosjet që nuk kalojnë në etapat gjyqësore të vendit nuk i pranon. Se të dërgosh në Peshkopi dosjen e krimit elektoral do të lash duart me Ulsiun”, tha Berisha.
Sipas Berishës këto dosje do të dorëzohen në gjykata.
Berisha tha se “po jetojmë në kushtet e një regjimi që përfaqëson një sipërmarrje të përbashkët mes pushtetit dhe krimit dhe krimit dhe pushtetit”.
Berisha theksoi po ashtu se rastin e “Ilir Metës do e çojmë në Hagë, sepse ajo ishte torturë çnjerëzore publike”.
“Ne duhet të përgatisim dosjen për në Hagë sepse është torturë çnjerëzore publike. Ne do punojmë me Partinë e Lirisë të dërgojmë dosjen në Komisionin Antitorturë në Këshillin e Europës dhe të ndjekim të gjitha instancat në OKB dhe kudo. Sepse ekzistojnë komisione antitorturë dhe ajo ishte një torturë publike, ishte një keqtrajtim çnjerëzor publik”, tha Berisha.
Berisha po ashtu tha se “Australia po diskuton të shpallë terrorist global Xhorxh Sorosin dhe këtë lajm e jep në Twitter-in e tij presidenti Donald Trump dhe ky është një lajm shumë i rëndësishëm”.
“Duke përshëndetur me shumë mirënjohje këtë veprim të Australisë, uroj të finalizohet me sukses sepse në bindjen time më të thellë, ky person në 40 vitet e fundit ka kryer krime monstruoze kundër njerëzimit me kombet Tajlandë, Indonezi, me italianët, britanikët”, tha Berisha. /j.p/























