TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh sot gjatë aktivitetit të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me temë “Dhuna me bazë gjinore në hapësirën dixhitale”, se gratë në Shqipëri, qofshin ato në politikë, apo çdo grua që ka një rol në shoqëri dhe jo vetëm është e ekspozuar ndaj një forme të dhunës.
“Unë mbaj pozicionin më të lartë në qeveri, por nuk e kam konsideruar kurrë atë pozicion si privilegj, vetëm sepse jam grua. Që në krye të herës, që kur unë, Ogerta, Albana Koçiu kemi qenë pjesë e stafit të Bashkisë së Tiranës në fillim të viteve 2000, Rama e ka pasur parim që burrat dhe gratë duhet të kenë të njëjtat shanse, pa pasur asnjë dallim. Madje duket e padrejtë, por ai shpesh thotë që gratë prodhojnë më shumë, janë më besnike dhe të sinqerta, më të angazhuara. Unë them që është çështje karakteri dhe nuk ka të bëjë me ndarjen grua apo burrë. Kjo tryezë ka një tematikë shumë të rëndësishme: barazinë gjinore, mbrojtjen e grave ndaj dhunës, si dhe ndikimin që kanë mediat sociale, dixhitalizimi. Së bashku biem dakord që kemi hyrë në epokën e revolucionit dixhital dhe Shqipëria është kampione dhe një flamurmbajtëse e këtij revolucioni, por si çdo produkt ka benefite dhe efektet anësore negative”, tha Balluku.
Ministrja foli edhe për të gjitha përfitimet që vijnë me epokën e dixhitalizmit, por u ndal më shumë te pasojat negative që secili i kalon çdo ditë. “Secili prej jush në një mënyrë apo një tjetër është viktimë, mund të ketë qenë edhe dje viktimë e një sulmi dixhital apo e një sulmi me bazë gjinore. Mund të ketë qenë dhe sot në mëngjes, çdo sekondë dhe çdo ditë”, shton ajo.
Balluku iu referuara deklaratave të Berishës dje pas seancës parlamentare, ku foli për pamundësinë e diskutimit në foltore, për shkak të aromës së fortë të parfumeve të shtrenjta të deputeteve të mazhorancës. Ministrja tha se kjo deklaratë ishte pasqyruar sot në të gjitha mediat dhe sipas saj është një formë dhune apo sulmi.
“Sot, shihja lajmet, prononcimet dhe copëza të mediave, dëgjoja kolegët tanë deputetë tek flisnin ajo sallë ka erë parfumesh të shtrenjta. Seksizëm total! Gratë janë ato që mbajnë parfume apo që akuzohen për parfum. Unë nuk e di që në sallën e parlamentit ne hyjmë për të na marrë erë parfumeve, por të gjithë e dimë që ka parfume nga një qind lekë e deri shumë më shumë, por nuk e di kush e ka këtë nuhatje për të kuptuar sa të shtrenjta janë. E thënë nga ai që po e thoshte dje, në atë moshë, nuk mendoj se ndodh. Ose një tjetër koleg i politikës që tregonte se si kanë ndryshuar gratë e politikës në pamjen e tyre, por nuk e di sa rëndësi ka pamja në rolet që ne kemi. Unë vesh çizmet dhe i futem punës nëpër kantiere dhe bëj punë burrash, supozohet që është punë burrash.
Për sa i përket sulmeve me bazë gjinore i kemi çdo ditë dhe çdo sekondë, i kemi provuar, pa ndasi majtas apo djathtas. Jemi të gjithë të ekspozuar ndaj këtyre sulmeve, por çështja është që çfarë bëjmë ne së bashku për t’i parandaluar? Mediat përdorin pamje të ndryshme ndër vite, por pse kujt duhet t’i marrim leje kur shëndoshemi se sa kemi lindur, apo kur dobësohemi se na ka dalë kolesteroli i lartë? Kujt duhet t’ia marrim këtë leje? Sa nga ju janë nën presionin se si dukemi? E gjitha pasqyrohet në mënyrë banale në mediat sociale”, theksoi Balluku.
Balluku deklaroi se qeveria shqiptare është e angazhuar në rolin e saj për barazinë gjinore, dhunën që ndodh në median dixhitale dhe aksionet konkrete që janë ndërmarrë për këto çështje. /j.p/






















