Ballina Bota

SHBA – Trump emëron biznesmenin miliarder Warren Stephens si ambasador në BM

UASHINGTON, 3 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump do të emërojë biznesmenin miliarder Warren Stephens si ambasador në Britaninë e Madhe.

Trump e quajti Stephens një nga biznesmenët më të suksesshëm në vend.

“Jam i emocionuar që tani, ai do të ketë mundësi të shërbejë si kryediplomat, duke përfaqësuar SHBA-në në një nga aleatët më të dashur të Amerikës”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Emërimi do të kërkojë miratimin e Senatit amerikan – ku republikanët e Trump do të kenë shumicën pas zgjedhjeve të nëntorit.

Stephens, 67 vjeç, është në krye të një banke investimi të drejtuar nga familja në shtetin jugor të Arkansas.

Si një mbështetës i Partisë Republikane, ai fillimisht e kundërshtoi Trumpin në 2016 – por, si shumë të tjerë, më vonë e mbështeti atë.

“Stephens gjithashtu dhuroi fonde gjatë fushatës paraprake për Nikki Haley, e cila sfidoi Trump për nominimin presidencial republikan”, raportoi “Washington Post”.

Haley përfundimisht u tërhoq nga gara pas humbjeve të mëdha në primaret.

Hyrja e Trump në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është caktuar më 20 janar. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDuka në mbrëmjen gala të Federatës Bullgare me rastin e 100-vjetorit të themelimit
Artikulli tjetërNoka: Buxheti diskriminon personat me ndihmë ekonomike, të vendoset minimumi jetik