Ballina Flash

Nisin seleksionimet me futbollistët e vitlindjes 2007 në “Shtëpinë e Futbollit”

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Federata e Futbollit çeli dje sesionin e përvitshëm të seleksionimeve me futbollistët e rinj shqiptarë, të cilët jetojnë dhe luajnë në Evropë dhe botë. Pjesëmarrës në këtë seleksionim Open Stage ishin djemtë e vitlindjes 2007.

Rreth 90 futbollistë të rinj u aktivizuan në 5 ndeshjet e zhvilluara në “Shtëpinë e Futbollit” dhe u vëzhguan nga trajnerët e ekipeve Kombëtare, stafi i Drejtorisë Teknike dhe përgjegjësi i skautizmit në FSHF, Ardi Behari. Talentet e ftuara u angazhuan në teste fizike dhe ndeshje miqësore.

Sakaq, në datën 4 dhjetor do të zhvillohet faza Open Stage për të rinjtë e lindur në vitin 2008, më 5 dhjetor futbollistët e vitlindjes 2009, ndërsa lojtarët e vitlindjes 2010/2011 më 10 dhjetor. Për të marrë pjesë në këto seleksionime janë regjistruar mbi 450 futbollistë të rinj, të cilët jetojnë jashtë vendit.

Kjo nismë e përvitshme  e Federatës së Futbollit u jep mundësinë talenteve të reja të tregojnë aftësitë e tyre dhe ndihmon stafin Teknik të ekipeve Kombëtare të vlerësojnë dhe evidentojnë futbollistë me potencial për të dhënë kontributin e tyre me Kombëtaren.

/gj.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVanHorn: Mbështesim iniciativa që promovojnë një shoqëri më gjithëpërfshirëse
Artikulli tjetërUASHINGTON – SHBA kufizime të reja për eksportet e çipave në Kinë