UASHINGTON, 3 dhjetor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan dje kufizime të reja për eksportin e disa çipave gjysmëpërçues dhe pajisjeve në Kinë, duke përmendur sigurinë kombëtare.
“Masat janë të dizajnuara për të dëmtuar më tej aftësinë e Kinës për të prodhuar gjysmëpërçues të avancuar – që mund të përdoren në gjeneratën e ardhshme të sistemeve të avancuara të armëve dhe në inteligjencën artificiale (IA) dhe informatikë të avancuar – të cilat kanë aplikime të rëndësishme ushtarake”, thuhet në një deklaratë nga Byroja e Industrisë dhe Sigurisë e Departamentit të Tregtisë së SHBA-së.
“Masat përfshijnë kontrolle të reja mbi 24 lloje të pajisjeve të prodhimit të gjysmëpërçuesve dhe tre lloje të mjeteve softuerike për zhvillimin ose prodhimin e gjysmëpërçuesve – që janë të përfshirë në avancimin e modernizimit ushtarak të Kinës”, tha byroja. Ndryshime të tjera do të rrisin efektivitetin e kontrolleve të mëparshme.
Masat, në fuqi që nga e hëna, përfshijnë gjithashtu shtimin e më shumë se 100 subjekteve në një listë të kufizuar tregtare – që do të thotë se kompanitë amerikane do të duhet të kërkojnë leje specifike për t’u dërguar atyre pajisje.
“Kufizimet e reja përfshijnë fabrikat e gjysmëpërçuesve, kompanitë e mjeteve dhe kompanitë e investimeve që po veprojnë me urdhër të Pekinit – për të çuar më tej qëllimet e avancuara të çipeve të Kinës – që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA dhe aleatëve”, tha byroja.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-se, Jake Sullivan tha se qeveria kishte ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të mbrojtur teknologjinë e vendit nga kundërshtarët që kërcënonin sigurinë kombëtare. //a.i/






















