TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Opozita nisi sot në orën 17:00 protestën e radhës me bllokimin e disa prej kryqëzimeve kryesore në Tiranë.
Nën moton “O sot o kurrë”, protestuesit kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në disa prej akseve të kryeqytetit si Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga Pallati me Shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Opozita vijon të kërkojë lirimin e liderëve nën masë arresti dhe qeveri teknike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në akset rrugore që do bllokohen Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës ka njoftuar Partinë Demokratike, se në bazë të ligjit “Për Tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat.
Përplasje me policinë
Në disa prej pikave të bllokuara raportohet ka pasur përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Ndërsa tek Zogu i Zi ka pasur edhe përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë.
Situata është tensionuar tek Rruga e Elbasanit ndërsa deputeti i PD-së dhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie, Flamur Noka pati debate e shtyrje me forcat e policisë që kërkuan që të lirohet rruga.
Efektivë të policisë u bënë thirrje protestuesve të lirojnë rrugët për qarkullimin e qytetarëve duke i paralajmëruar me megafon se bllokimi përbën vepër penale.
Policia e Shtetit po i kërkon protestuesve që të lirojnë rrugën pasi cenohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve si dhe pengohet qarkullimi dhe transporti publik dhe privat.
Ndërkohë policia ka hedhur ujë ndaj protestuesve tek rrethrrotullimi pranë bashkisë së Tiranës pas situatës së tensionuar që u krijua atje.
Mediet raportuan edhe për lëndimin e një personi dhe marrjen e tij me ambulancë.
Bardhi tek sheshi “Wilson”: Jeni policia e shtetit, jo e pushtetit
Duke iu drejtuar punonjësve të policisë, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi iu kërkoi se në cilin ligj bazohen. “Unë ju dëgjoj për faktin që jeni Policia e Shtetit dhe jo policia e pushtetit. Ne ju kemi njoftuar zyrtarisht dhe ju duhet të merrni masa për bllokimim e rrugëve”, tha Bardhi.
Protestuesit u përplasën fizikisht me policinë në sheshin Wilson në Tiranë. Policia ndërhyri për të shpërndarë turmën dhe në këtë moment ka pasur përplasje fizike.
Bardhi tha gjithashtu se policët janë pa numër identifikimi.
“Mund të jenë të dërguar të bandave për të dhunuar deputetët dhe popullin opozitar ose patronazhistë që u kanë vënë uniformën. Me ligj nuk lejohet në tubim asnjë punonjës pa numër identifikimi. Të gjithë të rinjtë mbrapa janë pa numra identifikimi, që do të thotë se janë ushtarë të bandave që u kanë veshur uniformë policie”, tha Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi po ashtu ndodhet tek sheshi “Wilson”, ku deklaroi për mediet se “kanë marrë urdhër për të dhunuar opozitën”.
“Ta harrojnë që do ikim nga ky shesh, ta harrojnë që ne do ikim nga sheshet e gjithë Shqipërisë. Kjo është një betejë pa kthim”, u shpreh Blushi.
Policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve në sheshin Wilson, ndërkohë që kanë hedhur edhe ujë me autobot ndaj tyre. Blushi shihet duke u ngjitur në një autobot për të penguar hedhjen e ujit.
Pas këtyre zhvillimeve, tek sheshi Willson deputeti i PD-së Luan Baçi, tha se “po hedhin gaz lotsjellës dhe ujë pa arsye. Po provokojnë, ne kishim protestë paqësore”.
“Mendojnë se do të zmbrapsin qytetarët në këtë formë, por më shumë po e agravojnë situatën më shumë na bëjnë të ngulim këmbë deri në plotësimin e kërkesave të opozitës”, tha Baçi.
Përplasje verbale me qytetarët
Bllokimi i 5 akseve të rëndësishme në kryeqytet ka rënduar trafikun ndërsa qarkullimi është ndërprerë fare në disa segmente.
Qytetarë kërkuan lirimin e rrugës pasi kanë edhe fëmijë të vegjël në makina, por protestuesit nuk kanë pranuar duke thënë se protesta ishte e paralajmëruar. Qytetarët i kanë kërkuar edhe Policisë që të liroheshin akset nga protestuesit, sepse kishin edhe punë apo emergjenca personale.
Policia hap qarkullimin me hedhje uji me presion
Policia përdori ujë me presion për të hapur qarkullimin në sheshin Willson, duke larguar protestuesit. Një qytetare u ndje keq, ndërsa iu ndihma e shpejtë nga protestuesit.
Nga pjesa që vjen prej stadiumit Dinamo drejt Librit Universitar qarkullimi u zhbllokua nga policia, fillimisht me hedhjen e gazit lotsjellës dhe më pas me hedhjen e ujit nga autoboti në shesh.
Pas hapjes së rrugës, protestuesit e mbetur janë drejtuar tek bashkia e Tiranës.
/vijon/ k.s/























