Ballina Aktualitet

PD: Drejtuesit e institucioneve publike presion punonjësve për të siguruar votën e diasporës

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Eno Bozdo në një deklaratë për shtyp ka hedhur akuza në drejtim të Partisë Socialiste se po u bën presion punonjësve në sektorin publik për të siguruar votën e shqiptarëve të diasporës.

Nga selia blu, Bozdo paraqiti një formular, ku sipas tij po i shpërndahet administratës publike, qendrore dhe vendore të Beratit, dhe po ashtu të gjithë punonjësve të enteve publike në Berat.

“Partia Socialiste, drejtuesit e saj qendrorë dhe vendorë, drejtorët e enteve publike në Berat, po i bëjnë presion çdo të punësuari në sektorin publik të plotësojë këtë formular, duke i kërkuar atyre me forcë të sigurojnë të paktën dhjetë vota të familjarëve apo miqve të tyre që janë në emigrim.

Pra, punonjësit publikë duhet të gjejnë patjetër dhjetë emra – votues të sigurt, ndryshe vendi i tyre i punës fluturon! Patronazhistët, që paguhen me paratë e shqiptarëve dhe që janë ngarkuar me detyrën e survejimit, manipulimit dhe blerjes së votës, janë hedhur në veprim. Vetëm se tani, siç edhe shikohet në formular, i quajnë “vullnetarë””, tha Bozdo.

Bozdo tha se çdo përpjekje për të kërcënuar apo shantazhuar punonjësit e administratës do të marrë përgjigjen e merituar.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakI akuzuar nga SPAK për pastrim parash, arrestohet 35-vjeçari në Itali
Artikulli tjetërKOMENT – Meloni i qëndron skemës së kampeve të emigrantëve në Shqipëri, pavarësisht vendimit të gjykatës