Ballina Aktualitet

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo dënohet me 80 orë pune në komunitet

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit (GJKKO) ka dënuar me 9 muaj burg Fatos Lulon, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Ish-gjyqtari akuzohet për deklarim të rremë dhe fshehje pasurie, ndërsa dënimi i tij do të konvertohet në 80 orë pune në komunitet, sqaroi sot GJKKO.

Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Kushtetueses Fatos Lulo dhe kërkoi që ky dënim të konvertohej në 2 vite shërbim prove.

SPAK-u e akuzoi Lulon se nuk deklaroi një dyqan, tashmë nën sekuestro në Rrugën e Durrësit. Hetimet zbuluan se ish-gjykatësi nuk i kishte të ardhurat financiare për të krijuar pasurinë e tij.

Para shkarkimit, prej Vetting-ut në vitin 2018, Lulo pretendonte se prona i është dhuruar nga e motra e vet, bashkë me 100 mijë euro. Vetting-u nxori se as motra e Lulos nuk kishte të ardhura financiare për të blerë e për t’i dhuruar dyqanin vëllait të saj.

Gjyqtari Kushtetues u shkarkua nga shkalla e parë e vetting-ut më 23 mars 2018, vendim i lënë në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUKRAINË – Zbulohen 19 laboratorë droge dhe arrestohen 60 persona
Artikulli tjetërFOKUS – Opozita italiane kritikon marrëveshjen për migrantët