Ballina Aktualitet

Finalizimi i programit, Basha me strukturat drejtuese të Demokratëve Euroatlantikë

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka zhvilluar një mbledhje me strukturat drejtuese të kësaj force politike për daljen në terren me kandidatët për deputetë dhe shpalosjen e programit.

Basha tha se, shqiptarët dhe Shqipëria lëngojnë, hallet dhe problemet e tyre vetëm shtohen dhe se shumica prej tyre qartësisht prej kohësh janë në kërkim të një alternative politike larg teatrit politik që i ofron Tirana.

Për këtë ai u kërkoi drejtuesve të Demokratëve Euroatlantikë që të zbresin në terren me njerëzit për t’i dhënë formë finale ofertës programore të shpalosur më 1 qershor.

“Realiteti politik në të cilin ndodhemi, dikton kalimin në një fazë të avancuar dhe intensive të aksionit politik. Dhe aksioni politik, siç na e tregojnë shumë mirë ngjarjet e javës së kaluar, nuk mund të jetë për fatin e një individi apo qoftë edhe për çështje që i takojnë një grupi të ngushtë”, tha Basha.

Basha gjithashtu tha se, qeveria dhe ata që votuan me qeverinë aktet flagrante si amnistia dhe kodi zgjedhor, nuk duan të ndryshojnë gjë.

Sipas tij, ata janë dakorduar të mos ndryshojnë asgjë dhe se Shqipërinë e duan kështu, pa zgjedhje, pa institucione, pa alternativa, të ndarë midis njëri-tjetrit.

Basha më tej tha se, demokratët euroatlantikë janë në terren me program, me kandidat për deputetë dhe nuk harxhojnë asnjë minutë në teatrin e shëmtuar të interesave personale të pseudoopozitës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFitorja ndaj Gjeorgjisë, lojtarët e Kombëtares shpresojnë për kreun e grupit
Artikulli tjetërLIBAN – Numri i të vdekurve rritet në 21 pas sulmeve ajrore izraelite