Ballina Aktualitet

Përzgjidhen kandidatët për anëtarë në KLGJ dhe KLP

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Nënkomisioni “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që përfaqësojnë shoqërinë civile”, përzgjodhi sot kandidatët për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Kryetarja e nënkomisionit, Klotilda Bushka u shpreh se, duke qenë se deputetët e opozitës mungojnë, nuk mund të arrihet votimi për kandidatët, kështu që u kalua direkt në hedhjen e shortit.

Nga hedhja e shortit mes kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor mes Erjon Fejzullës dhe Violanda Theodhorit ishte kjo e fundit që u zgjodh anëtare.

“Raporti përkatës i kalon seancës plenare për votim. Nëse nuk arrihet kuorumi i kërkuar nga ligji sipas Kushtetutës dhe ligjit Violanda Thodhori është anëtarë e KLGJ”, tha Bushka.

Sa i përket kandidatëve për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte vetëm emri i Erjon Fejzullës.

“Erjon Fejzulla rezulton nga gjithë procedura si anëtar i KLP dhe ky raport i kalon seancës plenare për miratim. Edhe këtu nëse nuk arrihet shumica e kërkuar nga ligji, Fejzulla do të zgjidhet automatikisht anëtar i KLP-së”, u shpreh Bushka.

“Me këtë procedurë nënkomisioni e ka përmbyllur procesin e vakancave në KLP dhe KLGJ”, u shpreh Bushka, e cila falënderoi dhe misionet ndërkombëtare që kanë ndjekur këtë proces që nga fillimi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGarancia Sovrane për bujqësinë, Rama: Bashkitë dhe fermerët të aplikojnë me projekte për qendra grumbullimi
Artikulli tjetërGuvernatori Sejko takim me homologun Holzmann: Austria, 6% të totalit të investimeve të huaja direkte