Ballina Aktualitet

Begaj takime me krerët e shteteve pjesëmarrës në samitin e Procesit të Bërdo-Brijunit

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi sot në Tivat të Malit të Zi takime të veçanta me krerët e shteteve, pjesëmarrës në Samitin e Procesit të Bërdo-Brijunit. Në fokus të këtyre takimeve ishte forcimi i bashkëpunimit dhe përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në takimin me homologun kroat, Zoran Milanović, Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer politik dhe ekonomik, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Presidenti i Shqipërisë vlerësoi, gjithashtu, përpjekjet e Kroacisë për të mbështetur Kosovën.

Në takimin me presidenten sllovene, Nataša Pirc Musar, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë strategjike të zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa falënderoi homologen sllovene për mbështetjen dhe asistencën teknike ndaj Shqipërisë në plotësimin e kapitujve të negociatave përgjatë procesit të anëtarësimit në BE, Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i shqiptarëve në këtë drejtim është i palëkundur.

Gjatë qëndrimit në Tivat, Presidenti Begaj bisedoi edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për forcimin e faktorit shqiptar në rajon përmes bashkëpunimit dhe vendosjen e interesit shqiptar si çështje parësore.

Presidenti Begaj e siguroi Presidenten Osmani për vijimin e lobimit në shtimin e njohjeve të reja të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë jo vetëm si detyrë shtetërore, por si mision të jetës. Në këtë takim u diskutua fuqizimi i lidhjeve ekonomike Shqipëri-Kosovë, sidomos përmes hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portit të ri të Durrësit.

Në takimin me presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska -Davkova, u vlerësua bashkëpunimi politik mes dy vendeve. Gjithashtu, u vlerësua se bashkëpunimi në kuadër të NATO-s është një garanci më shumë për sigurinë në rajon. Presidenti Begaj dhe presidentja Siljanovska-Davkova shprehën bindjen se Korridori VIII do të nxisë më shumë ndërlidhjen e do të fuqizojë ekonomikisht dy vendet.

Kreu i Shtetit theksoi gjatë këtij takimi se gjuha shqipe, si pjesë e marrëveshjes së Ohrit, duhet të mbetet gur themeli i marrëdhënieve Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProgrami Kombëtar i Praktikave të Punës, Muzhaqi: 1300 të rinj përfitues, 500 të punësuar
Artikulli tjetërSHBA – 14 shtete padisin TikTok-un: Dëmton shëndetin e fëmijëve!