Ballina Aktualitet

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Muzhaqi: 1300 të rinj përfitues, 500 të punësuar

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, po marrin pjesë në një aktivitet të organizuar në Tiranë, ku në fokus është Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, i cili prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune, duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.

Të rinjtë pjesëmarrës dhe përfitues nga programi ndanë eksperiencat e tyre, duke treguar se si Programi Kombëtar i Praktikave të Punës u ka ndikuar në integrimin në tregun e punës.

“Prej tre vitesh koordinoj Programin Kombëtar të Praktikave të Punës. Rreth 1300 të rinj kanë përfituar në këto tre vite nga programi kombëtar i praktikës së punës. 500 prej tyre janë bërë pjesë e administratës publike”, tha në nisje të fjalës së saj ministrja Muzhaqi.

“Praktikantët që bëhen pjesë e këtij programi, angazhohen në të gjitha strukturat e institucioneve qeveritare, duke nisur nga kabinetet e ministrave, por edhe pastaj me aparatet e ministrive, agjencitë e varësive, por dhe ekipet e 61 bashkive të vendit. Të rinjtë nga 21-26 vjeç, kanë mundësi të zgjedhin nga 1200 pozicione që lançohen çdo vit falë këtij programi.

Ky program nuk kërkon as eksperiencë të mëparshme, por as të jesh ekselent. Fokusi është krijimi i një eksperience të parë në administratën publike, duke i dhënë përgjigje dhe asaj që të rinjtë thonë: “Për të nisur punë duhet të kesh eksperiencë”. Prandaj kjo është një trampolinë për të hedhur hapat e parë në administratë, ose për të vijuar punë në sektorin privat”, u shpreh Muzhaqi.

“Për të gjithë të rinjtë që jeni këtu sot, por jo vetëm, të jeni të bindur se kemi 5000 pjesëmarrës të këtij programi në këto 9 vite që është zhvilluar”, tha më tej Muzhaqi.

Ministrja Muzhaqi rrëfeu edhe historinë e saj, kur pas studimeve, në vitin 2011 në sektorin publik nuk kishte mundësi të kryente praktikën e punës, e jo më tej që kjo praktikë të ishte e paguar. “Prandaj ky program, që ka nisur që në vitin 2015, ka ndryshuar jetën e të rinjve, duke u siguruar eksperiencë dhe gjithashtu duke na mundësuar që më të mirët t’i kemi pjesë të administratës sonë”, tha Muzhaqi.

“500 prej jush këtë vit keni firmosur kontratën për të qenë pjesë e Programit Kombëtar të Punësimit. Ju nuk kishit nevojë të kishit mik, apo të njihnit dikë, por e vetmja gjë që u duhej ishte të konkurronit. Patjetër, kishte dhe nga ata që nuk fituan. Konkurrenca dhe meritokracia janë shumë të rëndësishme. Për ata që nuk arritën të ishin pjesë e programit, të konkurrojnë sërish në thirrjen tjetër”, përfundoi Muzhaqi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla në Shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Britanikë: Diaspora, rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e Shqipërisë
Artikulli tjetërBegaj takime me krerët e shteteve pjesëmarrës në samitin e Procesit të Bërdo-Brijunit