Ballina Aktualitet

Prokuroria e Përgjithshme nuk do të marrë pjesë me ekspertë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ Prokuroria e Përgjithshme do të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” por nuk do të marrë pjesë me ekspertë.

Duke iu përgjigjur interesimit të medieve, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi me anë të një deklarate se “ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtësisë”.

“Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij”, thuhet në njoftim.

Disa ditë më parë, edhe SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë deklaruan se nuk do të jenë pjesë e komisionit parlamentar me ekspertë, por janë të gatshëm për të ofruar kontribut përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky komision.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Një problem IT në kontrollin e trafikut ajror shkakton probleme në të gjithë hapësirën ajrore
Artikulli tjetërBraçe publikon audioregjistrimin e 21 Janarit: Të njëjtët që vijnë me benzinë për të djegur e vrarë edhe sot