Ballina Aktualitet

Ekstradohet nga Suedia pjesëtari i një grupi të strukturuar kriminal

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Policia njoftoi sot se në kuadër të operacionit “Para drejtësisë” u ekstradua nga Suedia, pjesëtari i një grupi të strukturuar kriminal.

Grupi ku bënte pjesë ky shtetas, gjatë viteve 2020 dhe 2021, ka transportuar emigrantë, drejt shteteve të BE-së, ilegalisht, me skaf.
Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve policore, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Suedi, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të arrestuar në Suedi, K. K. alias K. M., 34 vjeç, i lindur në Fier.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi K. K. alias K. M. akuzohet se gjatë periudhës 2020-2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka transportuar ilegalisht me skaf drejt Italisë dhe shteteve të tjera, kundrejt fitimeve, emigrantë sirianë, egjiptianë dhe iranianë.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLIBAN – Rritje e numrit të të vdekurve nga sulmet e fundit izraelite
Artikulli tjetërHasani në darkën e shtruar nga Blinken: Lidhja transatlantike më e fortë se kurrë