Ballina Bota

FOKUS – Franca shpall qeverinë e re, por perspektiva mbetet e paqartë

PARIS, 22 shtator /ATSH-DPA/- Pas tre muajsh e gjysmë krize politike, Franca ka një qeveri të re.

Pallati Élysée njoftoi emrat e më shumë se 30 ministrave dhe sekretarëve të shtetit të dje në mbrëmje. Të gjitha pozicionet kyçe do të plotësohen nga fytyra të reja, me përjashtim të Sebastien Lecornu që do të mbajë postin e tij si ministër i Mbrojtjes.

Jean-Noel Barrot do të jetë ministër i Jashtëm, Bruno Retailleau do të jetë ministër i Brendshëm. Antoine Armand do të jetë përgjegjës për çështjet ekonomike dhe financiare.

Megjithatë, është ende e paqartë nëse kjo do t’i japë fund krizës politike që ka kapluar Francën që nga fillimi i verës – dhe se sa do të zgjasë qeveria e re.

Situata politike në Francë mbetet paradoksale. Megjithëse aleanca e krahut të majtë fitoi papritur zgjedhjet e parakohshme parlamentare pak më shumë se dy muaj më parë, vendi tani po drejtohet nga një qeveri e qendrës së djathtë nën udhëheqjen e Barnier një konservator, në të cilin kampi i krahut të majtë nuk po luan një rol dominues.

Barnier i kërkoi qeverisë së tij të fillonte punën. Mbledhja e tij e parë e kabinetit është caktuar të hënën.

Presidenti francez Emmanuel Macron emëroi politikanin veteran 73-vjeçar Barnier dy javë më parë pas shumë hezitimesh.

Ai shprehu besimin se Barnier, ish-shefi negociator i BE-së për Brexit, do të përdorte aftësitë dhe talentin e tij negociues për kompromis – për të gjetur partnerë të mjaftueshëm për një qeveri të aftë për veprim.

Qeveria e Barnier nuk do të ketë një shumicë absolute që mund të zbatojë thjesht axhendën politike të presidentit Macron.

Barnier do të ketë nevojë për mbështetjen e partnerëve të ndryshëm në periudha të ndryshme për të çuar përpara axhendën e tij dhe gjithashtu për miratim të heshtur nga Tubimi Kombëtar (RN) i nacionalistes së krahut të djathtë, Marine Le Pen. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 22 SHTATOR 2024
Artikulli tjetërVengu: Fushë e re sportive në Garnizonin Skënderbej për FA-të