Ballina Flash

Padia zyrtare, Milan Radojçiç dhe 44 të tjerë akuzohen për terrorizëm në veri

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se sot është ngritur aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku i akuzuari kryesor është edhe udhëheqësi i grupit Milan Radojçiç i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.

Isufaj në një konferencë për media, tha se për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe financimit të terrorizmit e shpëlarjes së parave. Ai shtoi se ekzaminimet që janë bërë jashtë vendit, kanë ndikuar në vonesën për ngritjen e kësaj aktakuze.

Prokurori Naim Abazi tha se janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur. Ai shtoi se gjatë këtij procesi janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe mbi 1 mijë e 200 armë dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për këtë rast.

Përveç kësaj, Abazi potencoi se janë siguruar qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje. Abazi theksoi se aktakuza përfshinë 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal.

Ai theksoi se i akuzuari kryesor është edhe Milan Radojçiç, i cili sipas tij, ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.

Në konferencë për media, Abazi tha se në kuadër të hetimit janë bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar, duke përfshirë vendet e Bashkimit Evropian,  Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete të tjera, për çka potencoi se janë siguruar dëshmi të rëndësishme.Isufaj është pyetur edhe për deklaratat e ministrave dhe kryeministrit Kurti, të cilët kërkonin të ngritet aktakuza.

Ai shtoi se asgjë nuk mund të thonë më shumë për këtë fazë të procedurës, duke pas parasysh edhe prezumimin e pafajësisë. /Kosovapress/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHiqej si zyrtarë dhe u merrte para bizneseve, pranga 57-vjeçarit
Artikulli tjetërKonjufca për aktakuzën e ngritur në rastin Banjska: Më mirë vonë se kurrë