Ballina Ekonomi

Rritet me 21% portofoli i kredisë në lekë, Themeli: Bizneset e përdorën për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Portofoli i kredisë ka ruajtur trendin pozitiv rritës të dy viteve të fundit, duke u zgjeruar edhe më tej në tremujorin e dytë të 2024-ës.

Bankat kanë vijuar me financimin e një numri më të lartë aplikimesh për kredi, si nga bizneset ashtu edhe nga individët.

Kushtet e financimit ndikuan pozitivisht kërkesën për kredi të bizneseve, ndërsa shtimi i kërkesës për kredi nga individët buroi prej nevojave të shtuara për hua në financimin e konsumit dhe të blerjes së banesave.

Sipas drejtorit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themelit, kreditë në lekë vazhdojnë të përbëjnë shumicën e portofolit total të kredisë.

“Ajo predominohet nga rritja e portofolit të kredisë në lekë, e cila aktualisht ka një rritje vjetore prej 20%, por ka një kontribut pozitiv edhe nga rritja e portofolit të kredisë në valutë. Ky fluks kredie që shkon për sektorin privat shqiptar, i ka shërbyer si bizneseve, kryesisht për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, pra ka qenë një kredi e orientuar drejt financimit të investimeve, por gjithashtu ka mbuluar edhe nevojat e familjeve shqiptare, qoftë për investime, blerje banesash apo investime në sektorin rezidencial, qoftë për kredi konsumi, kuptohet për nevojat e familjeve shqiptare”, tha Themeli.

Portofoli i kredisë për individët ka pësuar një rritje vjetore prej 14.8%, rreth 1.2 pikë përqindje më e lartë se në tremujorin e parë. Në Raportin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, thuhet se kreditë për blerje banese kanë pasur një ritëm më të shpejtë rritjeje se kreditë konsumatore. Konkretisht, kreditë për blerje banese u rritën me 16.4% nga 14.8% në tremujorin e parë, ndërsa kreditë konsumatore patën një zgjerim më të moderuar, duke u rritur me 15.2%, vetëm 0.4 pikë përqindje më shumë.

Nga ana tjetër, kreditë për bizneset kanë pasur një rritje vjetore prej 14%, rreth 4 pikë përqindje më të lartë se ajo e shënuar mesatarisht në tremujorin e parë. Rritja e kredisë për biznes u ndikua nga rritja e fortë e kredisë për investime.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak1631 teste të akredituara në ISUV, Denaj: Garanci për siguri të produkteve ushqimore
Artikulli tjetërManastirliu pret Ekipin Olimpik Shqiptar: Ngritët lart emrin e Shqipërisë, shpërblime për dy medalistët