TIRANË, 22 korrik/ATSH/- Policia e Vlorës ka goditur një tjetër rast të ndërtimit pa lejë përgjatë vijës bregdetare, në kuadër të planit operacional “Coastline”.
Sipas njoftimit për media, Policia ka arrestuar një 48-vjeçar, i cili kishte ndërtuar pa leje 4 objekte me strukturë druri (beach-bar dhe dhoma plazhi) në vijën bregdetare në Borsh.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, kanë ushtruar kontroll në Borsh, ku kanë konstatuar të ndërtuara pa leje nga organet kompetente 4 objekte me strukturë druri, konkretisht 1 beach-bar dhe 3 dhoma plazhi. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. I., 48 vjeç, banues në Himarë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë, me qëllim rikthimin e hapësirave publike dhe ndëshkimin sipas ligjit të çdo shtetasi që prek këto hapësira dhe i shfrytëzon ato në mënyrë të paligjshme”, njofton Policia e Vlorës.






















