Ballina Aktualitet

Taksimi i profesioneve të lira, Gjykata Kushtetuese tërhiqet për vendim

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua të martën seanca e radhës ku u shqyrtua kërkesa për shfuqizimin e taksës për profesionet e lira.

Ndaj ligjit për profesionet e lira, në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur katër padi, një nga deputetët e Partisë Demokratike, një nga ekspertët e licencuar, një nga kontabilistët dhe një nga avokatët. Paditë, për shkak të objektit, po trajtohen si një e vetme.

Në seancën e kaluar, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, i la kohë palëve që të sjellin prova të reja, të përgjigjen për pyetjet që u administruan në seancë dhe të paraqesin argumentet e tyre, si dhe konkluzionet përfundimtare.

Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën Kushtetuese, palët paraqitën konkluzionet e tyre dhe iu përgjigjën interesit të togave të zeza. Për opozitën ishin të pranishëm avokati Marash Logu dhe deputetja e PD, Jorida Tabaku. Parlamenti u përfaqësua nga Mimoza Arbri dhe Ervina Domi. Për llogari të Këshillit të Ministrave ishin të pranishëm zv.ministri i Financave Nikolla Lera dhe Irma Qosja.

Gjatë seancës, përfaqësuesit e opozitës u shprehën se 11,000 biznese, pjesë e profesioneve të lira kanë mbyllur aktivitetin e tyre. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë argumentuan se nuk provohet lidhja e drejtëpërdrejtë e mbylljes së 11,000 sipërmarrjeve me taksën e profesioneve të lira.

Pasi u dëgjuan palët, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë një vendim.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një deklaratë për mediet në fund të seancës, tha se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim për të shfuqizuar taksën e profesioneve të lira, pasi është antikushtetuese. “Qeveria e rriti taksën për 30,000 profesionistë, për shkak të paaftësisë së saj për të mbledhur taksat,” tha Tabaku.

“11,000 biznese janë mbyllur dhe të tjera po deklarojnë se do të largohen jashtë Shqipërisë për të vazhduar aktivitetin e tyre. Ne nuk kemi luksin të humbim shtresën e mesme. Sistemi i taksave ka krijuar një situatë të padrejtë, duke taksuar më shumë profesionistët e lirë sesa çdo profesion tjetër, duke shkaktuar pa drejtësi dhe mungesë barazie para ligjit. Dua shumë që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë argumentet që kanë paraqitur avokatët tanë,” shtoi Tabaku.

“Kemi pasur mbështetje të pafund nga këshilltarët ligjorë të PD, si dhe nga profesionistë të lirë që janë bashkuar në kauzën tonë, për të treguar se është krijuar një sistem i padrejtë i taksimit dhe ky sistem i padrejtë mund të ndryshojë,” përfundoi Tabaku.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHasani, takim me Varhelyi-n: Shqipëria përgatitet për hapjen e grupkapitujve themelorë
Artikulli tjetërFOKUS – Australia do të shesë cigaret elektronike vetëm në farmaci