TIRANË, 17 maj /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu mori pjesë në edicionin IV të Panairit të Punës dhe Karrierës në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Ky panair përfshiu aktorë lokalë dhe kombëtarë, të cilët kanë ndërtuar një panair me “kënde informacioni” për studentët, në kërkim të mundësive të profesionalizimit ose punësimit.
Në fjalën e saj ministrja Manastirliu tha se “ky panair është një mundësi më shumë për një urë komunikimi me bizneset. Jam e kënaqur që sot ka një seri biznesesh që janë afruar për të lidhur marrëveshje bashkëpunimi për 330 kontrata prove për studentët. Fokusi ynë dhe objektivi ynë është diversifikimi i ofertës akademike, mundësia për ta afruar edhe me tregun e punës, për të zbutur hendekun që ende ekziston mes universitetit dhe vendit të punës. Ajo që ka rëndësi parësore për ne është mundësia që kemi për të rimodeluar programet e studimit në varësi të kësaj kërkese dhe oferta duhet të jetë akoma edhe më shumë tërheqëse”.
Manastirliu u shpreh se “duhet jo vetëm të investojmë tek burimet njerëzore, tek mbështetja e profesorëve dhe pedagogëve, por edhe tek kërkimi shkencor nëpërmjet programeve të kërkim zhvillimit”.
Manastirliu i bëri apel stafit akademik dhe studentëve të aplikojnë në programet që do të hapin me agjencinë kombëtare të kërkimit shkencor e inovacionit, ku në fazën e parë që ne mbyllëm me buxhetin e këtij viti kanë aplikuar mbi 200 aplikues nga universitetet tona sa i përket programeve të kërkim zhvillimit dhe infrastrukturës kërkimore dhe shkencore”.
Në panairin e punës dhe të karrierës, me studentët kanë eksploruar një gamë të gjerë të pozicioneve të ndryshme të punës, si një mundësi e shkëlqyer për ndërtimin e kontakteve profesionale që mund të jenë të vlefshme gjatë gjithë karrierës së tyre.
/k.s/r.e/






















