TIRANË, 15 prill/ATSH/ Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, që ndër të tjera i hap rrugën edhe krijimit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, një organ në nivel qendror.
Sipas projektligjit, kompetencat e Këshillit do të përfshijnë krahas fushës së planifikimit/zhvillimit urban, edhe atë të menaxhimit të burimeve ujore, në kuadër të shqyrtimit të lejeve të zhvillimit/ndërtimit.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, e pranishme në komision, bëri të ditur se ky projektligj vjen si domosdoshmëri për të përmirësuar procesin e zhvillimit të territorit, që vjen si rezultat i përvojës së deritanishme me zbatimin e këtij ligji.
Në projektligjin në fjalë propozohet të bëhet një saktësim i klasifikimit të dokumenteve të planifikimit të territorit në nivel qendror, ku, krahas dokumenteve ekzistuese (Plani i përgjithshëm kombëtar i territorit, për gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë; Planet kombëtare sektoriale, për të gjithë ose një pjesë të territorit dhe planet e detajuara për zona të rëndësisë kombëtare), shtohen edhe dy dokumente të reja, përkatësisht: Plani Kombëtar i Hapësirës Detare, për të gjithë hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë dhe planet e detajuara qendrore.
Gjithashtu, janë sqaruar edhe procedurat që ndiqen gjatë miratimit/rishikimit të tyre.
Në projektligj propozohet vendosja e procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e aplikimeve, si dhe rastet kur mund të aplikohet kjo procedurë në praktikë, e cila, në përputhje edhe me rregullat e detajuara në rregulloren e zhvillimit të territorit, mund të zbatohet për investime strategjike dhe zhvillime komplekse brenda brezit bregdetar.
/r.e/























