Ballina Flash

Poliklinika e Specialiteteve në Elbasan merr emrin e Dr. Lefter Guxhos, Koçiu: Në respekt të punës së tij 40-vjeçare në shërbim të qytetarëve

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Poliklinika e Specialiteteve në Elbasan me vendim të Këshillit Bashkiak do të mbajë emrin e mjekut të njohur të Elbasanit, doktor Lefter Guxho.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu shprehet në një postim në rrjetet sociale se “Poliklinika e Specialiteteve në Elbasan, nga sot do të mbajë emrin e mjekut të njohur infeksionist, Lefter Guxho, në respekt dhe mirënjohje për përkushtimin gjatë gjithë jetës së tij në shërbim të atyre që kishin më shumë nevojë”.

Koçiu thekson se “ky institucion shëndetësor, i rikonstruktuar me ambiente bashkëkohore, shërbime cilësore në 19 specialitete dhe pajisur me aparatura të teknologjisë së fundit, tashmë do të përfaqësojë 40 vite punë të palodhur, me profesionalizëm dhe integritetit të Dr. Guxho në Qarkun e Elbasanit si dhe një udhërrëfyes edhe për brezin e ri të mjekëve, për humanizëm dhe devotshmëri në shërbim të qytetarëve”.

Në përurimin e pllakatës në fasadën kryesore të godinës kryetari i bashkisë, Gledian Llatja bashkë me drejtorin e Qendrës Spitalore “Xhaferr Kongoli”, kanë vlerësuar profesionin e mjekëve të Elbasanit.

“Sot në fakt është një ditë e shënuar për poliklinikën qendrore të Elbasanit, pasi po e rihapim me një emër të doktorit që ka dhënë shumë për qytetin. Doktor Guxho ka qenë i nderuar, ka qenë një nga mjekët e mirë”,  theksoi Llatja.

Këshilli Bashkiak para disa kohësh i ka vendosur emrin disa pavijoneve, por edhe poliklinikës qendrore të qytetit. Pas rikonstruksionit të plotë godinës iu vendos edhe pllakata.

“Ta gëzoni edhe poliklinikën e re, sepse sot në fakt quhet e mirëfilltë, një përurim i të gjithë poliklinikës, por edhe me emrin e Lefter Guxhos, i cili ishte një nga mjekët tanë më të mirë”, vijoi Llatja.

E rikonstruktuar pak kohë më parë Poliklinika e Elbasanit ofron shërbim shëndetësor ambulator të organizuar në 30 kabinete mjekësore me 19 specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme.

Lefter Guxho në vitin 1961 shërbeu si mjek pranë drejtorisë së Higjienës dhe Epidemiologjisë së rrethit të Elbasanit, më pas shkoi për të punuar në fshatin Funar. Në vitet 1966-1968 ishte shef i Shëndetësisë në rrethin e Librazhdit. Në vitet 1969-1972 punoi si shef i shëndetësisë së hekurudhës në ndërtim Elbasan-Përrenjas. Nga viti 1973 e deri sa ndërroi jetë punoi në Spitalin Infektiv të Elbasanit. Për një farë kohe ishte edhe nëndrejtor i Spitalit Rajonal të qarkut të Elbasanit.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProkuroria e Fierit sekuestron disa prona të dyshuara nga veprimtari kriminale
Artikulli tjetërU denoncua nga qytetari, gjobë drejtuesit të mjetit që parakaloi në mënyrë të gabuar