Ballina Aktualitet

Ndërtuan 7 vila me dokumente të falsifikuara, Prokuroria Tiranë merr të pandehur 10 persona

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Prokuroria Tiranës njofton se ka marrë të pandehur 10 persona. Sipas organit të akuzës, dyshohet se 10 personat e arrestuar kanë ndërtuar 7 vila me dokumente të falsifikuara. Prokuroria sqaroi se vilat janë sekuestruar.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka regjistruar Procedimin Penal nr. 1285, të vitit 2023 (I bashkuar), për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”. Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallëzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive, si marrja në pyetje e personave, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerje e ekspertimeve teknike, dhe ne përfundim është arritur në konkluzionin, se bëhet fjalë për konsumim të elementeve të veprave penale të parashikuara nga nenet 199/a/3, 186/2, 186/3 në bashkëpunim dhe 300 të Kodit Penal, pasi në zonën e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që ka rezultuar se dokumentacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë”, njofton Prokuroria

“Në këto kushte, nga ana e organit të prokurorisë është çmuar, se ka prova dhe dyshim të arsyeshëm për të proceduar me marrjen si të pandehur, për veprat penale shtetasit si më poshtë:
1.  A. P, arkitekt, akuzuar për  “Falsifikim i dokumenteve”
2.  K. B, arkitekt, akuzuar për “Falsifikim i dokumenteve”
3.  M. T, akuzuar për  “Ndërtim i paligjshëm”  dhe “Falsifikim i dokumenteve”
4.  F.Z,  akuzuar për “Ndërtim i paligjshëm”  dhe “Falsifikim i dokumenteve”
5.  A.T, akuzuar për “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve” i
6.  M. D, akuzuar për  “Ndërtim i paligjshëm”  dhe “Falsifikim i dokumenteve”
7. T. V. akuzuar për  “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”
8. D. D. akuzuar për  “Ndërtim i paligjshëm”
9. A. H. akuzuar për  “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”
10. G. M., akuzuar për v “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit”

“Njëkohësisht, referuar parashikimeve të nenit 274 të Kodit Procedurës Penale, nga ana e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është kërkuar sekuestrimi i objekteve të paligjshme dhe me vendimin nr 3625 datë 20.11.2023 Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksonit të Përgjithshëm Tiranë ka disponuar vendosjen e sekuestros preventive mbi objektet e ndërtuara”, bëri të ditur prokuroria.

“Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të enteve publike si dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm për veprat penale të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës” “, përfundon prokuroria.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Transformim në ndërtesë model i shkollës “Naim Frashëri” në Fier
Artikulli tjetërVetingu, KPK konfirmon në detyrë prokurorin Arian Muçaj