Ballina Aktualitet

Grupi parlamentar i PD publikon emrat e anëtarëve të Komisioneve Hetimore

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka publikuar sot listën e propozimeve për anëtarë të dy komisioneve hetimore, që të enjten pritet të miratohen në Kuvend. Po ashtu janë publikuar dhe emrat e anëtarëve të “grupit të dialogut” brenda Komisionit të Ligjeve ku do të diskutohen reforma zgjedhore dhe ligjet e tjera që kërkojnë konsensus parlamentar me 3/5-at e votave.

Kështu, në Komisionin e Ligjeve, në kuadër të “grupit të dialogut” që do të ngrihet për të diskutuar ligjet që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend, përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Demokratike anëtarë do të jenë: Oerd Bylykbashi (kryetar), Erisa Xhixho (anëtare), ndërsa emri i tretë do të jetë propozim i pjesës tjetër të Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha. Anëtarë zëvendësues në këtë grup dialogu janë Dhurata Çupi dhe Fatmir Mediu.

Lidhur me këtë kompozim, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se ky vendim i grupit vjen në respekt të mendimit ndryshe brenda Partisë Demokratike.

Në komisionin hetimor për të dhënat e sistemit TIMS, grupi i PD ka miratuar si kryetar Ervin Salianjin; anëtarë: Lindita Metalia, Lefter Gështenja, Asllan Dogjani, Luan Baçi, Ramadan Lika, Elda Hoti; anëtarë zëvendësues: Bledion Nallbati dhe Isuf Çelaj.

Në komisionin hetimor për koncesionin e “Sterilizimit” në Shëndetësi, grupi i PD ka miratuar këtë përbërje. Kryetare: Albana Vokshi; anëtarë: Zheni Gjergji, Ina Zhupa, Edmond Spaho, Sajmir Korreshi, Xhelal Mziu, Petrit Vasili; anëtarë zëvendësues: Emilia Koliqi dhe Ilda Dhori.

Dy komisionet hetimore dhe grupi i diskutimit brenda Komisionit të Ligjeve pritet të miratohen të enjten në Kuvend, gjatë seancës plenare.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAksion për pastrimin e lumit Osum, Demo: Të ruajmë biodiversitetin
Artikulli tjetërPeleshi: Bashkëpunim i suksesshëm me Italinë në fushën e mbrojtjes