OTAVA, 20 mars /ATSH-AFP/ – Kanadaja po ndalon dërgesat e saj të armëve në Izrael, tha një burim i qeverisë kanadeze, çka u konfirmua më vonë nga ministrja e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly, në një deklaratë për gazetën e përditshme ”Toronto Star”.
Kanadaja, një aleat kyç i SHBA, që i siguron Izraelit miliarda dollarë në vit ndihmë ushtarake, ka reduktuar dërgesat e saj të armëve në Izrael në pajisje jovdekjeprurëse.
“Situata në terren e bën atë që ne të mos mundemi të eksportojmë asnjë lloj pajisje ushtarake”, tha një zyrtar kanadez në kushte anonimiteti.
”Asnjë eksport nuk ka pasur që nga janari”, shtoi burimi qeveritar.
Izraeli e kritikoi vendimin, me ministrin e Jashtëm Israel Katz që tha se ”ai minon të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur kundër terroristëve të Hamasit”.
”Historia do ta gjykojë ashpër veprimin aktual të Kanadasë”, tha ai në një postim në X.
Ndërsa pohon të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka marrë një qëndrim gjithnjë e më kritik ndaj Izraelit ndërsa vdekjet e civilëve janë shtuar në Gaza.
Të hënën, parlamenti kanadez miratoi një rezolutë jodetyruese që i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të punojë drejt një zgjidhjeje me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve./ a.jor.























