TIRANË, 14 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kritikon përpjekjen e fundit për normalizimin e punimeve të parlamentit mes deputetëve të shumicës socialiste dhe krahut mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, si një bashkëpunim Rama-Berisha që do të dëmtojë kryerjen e reformës zgjedhore. Në intervistën për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, Basha u ndal edhe në problemet e brendshme të ndarjes në Partisë Demokratike, si dhe në vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, që çështja e 21 janarit të hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Basha tha se urdhri për të qëlluar ndaj protestuesve nuk ka dalë nga ai.
Basha ndodhet në SHBA si raporter i Këshillit të Evropës në një mision që e cilësoi historik për të bashkërenduar midis Këshillit të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për konfiskimin e aseteve ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës.
I pyetur për marrëveshjen që do normalizonte punimet në Kuvend, Basha u shpreh se “nga zhvillimet e fundit në Shqipëri, mund të them që paralajmërimet tona prej kohësh kanë treguar që zoti Rama dhe zoti Berisha bashkëpunojnë për interesat e tyre, por kundër interesave të shqiptarëve”.
“Ne kemi një kohë të gjatë që kemi paraqitur në komisionin e reformës zgjedhore propozime, të cilat shkojnë përtej interesave partiake, por janë në interes të qytetarëve. Të tillë janë propozimi për listat e hapura; që qytetarët të zgjedhin vet se cilin do të dërgojnë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është zhbërja ‘de facto dhe de jure’, nëse propozimi do të adoptohej, i ndryshimeve kushtetuese Berisha – Rama të vitit 2008. Po kështu është propozimi ynë për barazinë e votës, sepse sot në Shqipëri, falë këtij sistemi është e qartë se nuk ka barazi vote. Me 8 mijë e 500 vota zgjidhet deputeti në Vlorë, por duhen 13 mijë e 500 vota për të zgjedhur deputetin në Kukës. Të dy këto lidhen me dy propozime të tjera që kanë të bëjnë me vendime të Gjykatës Kushtetuese si vota e diasporës, vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë”, u shpreh Basha.
I pyetur për ofertën për zgjedhjet e ardhshme, Basha tha se “e para dhe kryesorja është që të heqim dorë nga kjo telenovelë e shëmtuar që luhet në kurriz të shqiptarëve”.
Në fund, Basha u pyet në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë që urdhëroi Prokurorinë e Posaçme, që të regjistrojë një proces penal për ngjarjet e 21 janarit. Në kallëzim është edhe emri i Bashës që në atë kohë ka qenë ministër i Brendshëm.
“Unë kam kërkuar prej fillimit një hetim të plotë dhe transparent. Sigurisht nuk komentoj asnjë vendim gjykate. Kanë kaluar 13 vite dhe është qartë besoj edhe për familjet e viktimave, që rasti është përdorur për politikë, për përfitime të ngushta politike. Mund të shohim madje edhe njerëz që janë akuzuar natën e 21 janarit, por që pastaj u graduan nga Partia Socialiste si kryetarë degësh apo kryetarë bashkish të Partisë Socialiste. Është një lojë e pistë edhe me gjakun e këtyre katër viktimave të pafajshme”, tha Basha.
“Unë personalisht nuk kam asgjë për të fshehur, apo për t’iu trembur dhe besoj se në këtë rast, si në çdo rast tjetër, drejtësia duhet të veprojë e papenguar nga politika dhe nga deklaratat politike dhe e pashfrytëzuar nga politika”, tha Basha.
I pyetur nga gazetari, Basha përjashtoi çdo mundësi që një urdhër apo udhëzim të ketë dalë nga ai atë ditë.























