Ballina Ekonomi

Rama: Ura e re e Kukësit, i jep zgjidhje nyjës së vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga momentet e fundit të punës për ndërtimin e Urës së re të Kukësit.

Rama shprehet se pas një pune të gjatë, ndërtimi i një vepre të madhe publike si Ura e Re e Kukësit, i jep zgjidhje një nyjeje të vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare.

Kreu i Ekzekutivit thekson se kjo urë sjell edhe një shenjë të bukur kuptimplotë për nga përmasa inxhinierike dhe estetike, për të gjithë udhëtarët në atë rrugë.

Ura e Madhe e Kukësit bashkon brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit. Ura e re e Kukësit ka dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa në të gjithë gjatësinë e saj është konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme. Ajo po zëvendëson urën e vjetër ekzistuese që ka më shumë se 45 vite që mban “mbi supe” me mijëra mjete përgjatë viteve.

Investimi prej 30 milionë dollarësh e bën atë një ngjarje ekonomike për zonën dhe lidhjen e Shqipërisë me Kosovën.

Për shkak të punimeve për vendosjen me rrëshqitje të urës së re mbi bazamentet e saj, qarkullimi është devijuar në aksin Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit, dhe konkretisht, devijimi i lëvizjes po bëhet tek Ura Drinit të Zi – Rruga hyrëse në qytetin e Kukësit dalja për Kosovë në nyjën e Shtiqnit. Ndërsa për lëvizjen nga Morina në Milot, devijimi i lëvizjes po bëhet tek rampa dalëse e mbikalimit tek nyja e re e aeroportit dhe dalja në urën e Drinit të Zi.

Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin është projektuar nga inxhinieri italian Giorgio Rizzo.  Ajo ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra dhe peshon rreth 5000 ton.  Do të ketë 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHyrja në SEPA, Sejko: Kursejmë 20 milionë euro vetëm vitin e parë
Artikulli tjetërGJENEVË – OBSH: Të shqetësuar për vdekjet pas sulmit ajror në Rafah