TEHERAN, 1 mars /ATSH-DPA/ – Fituesi iranian i çmimit Grammy, Shervin Hajipour është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim pas kundërshtimit të tij artistik ndaj shtypjes së protestuesve nga Irani, në vitin 2022.
Kantautori 26-vjeçar deklaroi në faqen e tij në Instagram se ”më është ndaluar edhe udhëtimi jashtë vendit për dy vjet”.
Përveç burgut, një gjykatë e urdhëroi atë të prodhonte muzikë për “krimet amerikane kundër njerëzimit”.
Fillimisht nuk pati asnjë koment nga drejtësia lidhur me dënimin.
Hajipour preku miliona njerëz në mbarë botën me baladën e tij “Baraye” gjatë demonstratave të shkaktuara në vjeshtën e vitit 2022 nga vdekja e Mahsa Amini pasi u arrestua nga policia.
Në këngë artisti u dha zë mijëra të rinjve, veçanërisht të rinjve, të cilët marshuan kundër politikave represive në Iran.
Protestat ishin nga më të ashprat që janë parë ndonjëherë në historinë e Republikës Islamike dhe shkaktuan hakmarrje kundër pjesëmarrësve.
Menjëherë pas publikimit të këngës, këngëtari u arrestua dhe më pas iu desh të kërkonte falje nën presionin e dukshëm të autoriteteve./ /os/























