Agjencia Telegrafike Shqiptare

MUZIKË – Kritikoi regjimin iranian, katër vjet burg për fituesin e Grammy-t, Shervin Hajipour

TEHERAN, 1 mars /ATSH-DPA/ – Fituesi iranian i çmimit Grammy, Shervin Hajipour është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim pas kundërshtimit të tij artistik ndaj shtypjes së protestuesve nga Irani, në vitin 2022.

Kantautori 26-vjeçar deklaroi në faqen e tij në Instagram se ”më është ndaluar edhe udhëtimi jashtë vendit për dy vjet”.

Përveç burgut, një gjykatë e urdhëroi atë të prodhonte muzikë për “krimet amerikane kundër njerëzimit”.

Fillimisht nuk pati asnjë koment nga drejtësia lidhur me dënimin.

Hajipour preku miliona njerëz në mbarë botën me baladën e tij “Baraye” gjatë demonstratave të shkaktuara në vjeshtën e vitit 2022 nga vdekja e Mahsa Amini pasi u arrestua nga policia.

Në këngë artisti u dha zë mijëra të rinjve, veçanërisht të rinjve, të cilët marshuan kundër politikave represive në Iran.

Protestat ishin nga më të ashprat që janë parë ndonjëherë në historinë e Republikës Islamike dhe shkaktuan hakmarrje kundër pjesëmarrësve.

Menjëherë pas publikimit të këngës, këngëtari u arrestua dhe më pas iu desh të kërkonte falje nën presionin e dukshëm të autoriteteve./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version