Ballina Aktualitet

Alibeaj: Të gatshëm të votojmë amnistinë e versionit fillestar që ka sjellë qeveria

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj dhe Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa mbajtën sot një konferencë për medie në seli, lidhur me çështjen e amnistisë.

Alibeaj u shpreh se, një pjesë e propozimeve të PD për amnistinë penale nuk janë përfshirë në projektligjin final.

Ai theksoi se, “dy kushtet tona për amnistinë penale janë: E para, mos të përfshihen në amnisti personat e dënuar apo personat që janë nën hetim nga SPAK dhe GJKKO. Dhe e dyta, të përfitojnë nga amnistia të gjithë qytetarët që kanë protestuar për kauzat e tyre”.

“Ne jemi të gatshëm të votojmë amnistinë e versionit fillestar që ka sjell qeveria. E kam pyetur publikisht ministrin Manja nëse e kishte diskutuar projektligjin fillestar me institucionet e reja të drejtësisë, kam marrë një përgjigje pozitive. Pra projektligji kishte marrë dritën jeshile nga SPAK, GJKKO, KLGJ. Dhe e dyta, mos të futen amendamente tinëz në momentin e fundit që nuk janë në të mirën e interesit publik të kësaj amnistie”, u shpreh Alibeaj.

Alibeaj shtoi se, “nuk kemi asnjë negociatë me qeverinë”.

“Qëndrimet i kemi publike, votojmë propozimin fillestar të amnistisë dhe të merret parasysh propozimi ynë që nga amnistia të përfitojnë protestuesit. Për këto e japim votën. Nuk votojmë projektligj që amniston të dënuarit nga GJKKO apo persona që janë nën hetim nga SPAK”, tha ai.

“Një amnisti që përfshin edhe të dënuarit nga GJKKO, apo të hetuarit nga SPAK, votat e PD nuk do t’i ketë. Nëse ministri me arrogancën e tij thotë se do të sigurojë vota, që do të thotë do të peshkojë vota, kjo është t’i shpallësh luftë drejtësisë, t’i shpallësh luftë SPAK-ut dhe GJKKO-së”, nënvizoi Alibeaj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPARIS – Macron: Rusia nuk mund dhe nuk duhet ta fitojë këtë luftë, të ndihmojmë Ukrainën
Artikulli tjetër“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga Piramida e Tiranës