Ballina Aktualitet

Blinken në Tiranë, Xhafaj: Konfirmon aleancën tonë me SHBA, forcon rolin e Shqipërisë në rajon

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj në një intervistë televizive foli për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.

Xhafaj u shpreh se vizita e Blinken nuk është një rastësi, ndërsa shtoi se konfirmon aleancën e Shqipërisë me SHBA-në, ku për rrjedhojë do të forcohet edhe roli ynë në rajon.

Më tej, ai tha se vizita tregon që Shqipëria është një aleat i besueshëm dhe një vend që synon një vend në Bashkimin Evropian.

“Në një moment të tillë politike dhe gjeostrategjike, vizita ka një rëndësi të veçantë pasi nuk është rastësore. Konfirmon aleancën strategjike me SHBA-të në një moment të vështirë për komunitetin perëndimor. Do ketë edhe një fokus te ngjarjet e pazgjidhura në rajon”, tha ai.

“Po të shohim vizitat e fundit të Sekretarit të Shtetit, ai ka qenë disa herë në Lindjen e Mesme dhe është përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në luftën në Ukrainë. Jam dakord me atë që ambasadorja Kim ka shprehur. Shpeshherë edhe në studiot televizive pyetet se çfarë do japim për atë që do marrim. Nuk është shkëmbim, por një marrëdhënie ku SHBA janë aleati ynë më i madh. Kjo tregon që Shqipëria është një aleat i besueshëm dhe një vend që synon të zhvillojë rrugën e Reformës së Drejtësisë dhe që të ketë një vend në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Xhafaj po ashtu u ndal te agjenda e Sekretarit amerikan të Shtetit, ku tha se “është një axhendë tërësisht normale”.

“SHBA ka një rol në Reformën në Drejtësi, sigurisht dhe PS. Ka plot çështje që duhen diskutuar me Kryeministrin. Edhe Presidenti luan një rol të rëndësishëm”, shtoi ai.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Pistorius hedh poshtë dyshimet mbi objektivin prej 2% të mbrojtjes së NATO-s
Artikulli tjetërPolicia masa për vizitën e Blinken në Tiranë, akset rrugore ku do të ndalohet qarkullimi