Ballina Flash

Hasani në Itali: Nevojitet qasje e re ndaj rajonit me fokus të veçantë në ekonomi

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në takimin e ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor, theksoi nevojën për një qasje të re ndaj rajonit, me fokus të veçantë në ekonomi.

Sipas kryediplomatit shqiptar, konvergjenca ekonomike është mjeti që i mundëson rajonit të nxisë integrimin ekonomik përpara se të kalojë në një integrim politik eventual, si hapi i fundit i procesit.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj integrimit në BE, duke i dhënë përparësi integrimit të përshpejtuar sektorial përpara anëtarësimit të plotë dhe duke u fokusuar në reformat kryesore për rritje të qëndrueshme”, tha ai.

Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, si dhe roli e kontributi i sektorit privat në avancimin e kësaj kauze.

Ministri Igli Hasani ndodhet në Itali, me ftesë të zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i krijuar në vitin 2023, bashkon Italinë, Austrinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Sllovakinë, Greqinë dhe Slloveninë. Grupi u krijua për të rritur vëmendjen e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBardhi: Deputetët u penguan të futen në seancë, i bashkohem protestave qytetare
Artikulli tjetërRikonstruksioni i linjës hekurudhore, ARRSH: Nga 6-14 shkurt devijim i trafikut në rrugën e vjetër të Durrësit