TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Policia e Elbasanit njofton se ka sekuestruar pasuri me vlerë 550 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 2 shtetasve, të cilët janë dënuar njëri në Itali, tjetri në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.
Sipas njoftimit të policisë së Elbasanit, në kuadër të planit të masave “Sundimi i ligjit”, është finalizuar operacioni policor “Real Estate”.
“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u bë sekuestrimi i 2 pasurive të shtetasit A. K., të regjistruara në emër të tij dhe të të afërmve, konkretisht: 1 objekt 3-katësh (me aktivitet bar, restorant dhe hotel), në Cërrik, dhe 1 automjet “Lamborghini”. Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi A. K., i cili është i dënuar në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion””, njofton Policia e Elbasanit.
“Po në zbatim të vendimit të kësaj Gjykate u bë sekuestrimi i pasurisë së shtetasit U. K., 34 vjeç, banues në Elbasan, konkretisht i një objekti banimi me sipërfaqe 105 m2, në Elbasan. Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri e sekuestruar e ka burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi U. K., i cili ka qenë i dënuar më parë, në Itali, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion””, përfundon njoftimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme























